FNSH dhe forcat RENEA kanë zhvilluar gjatë 24 orëve 2 operacione kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Në Divjakë megaoperacioni dështoi pasi nuk u gjet asnjë rrënjë kanabis. Ndërkohë në Shkodër pavarësisht se policia me mjete të sofistikuara arriti të gjejë 2 sera me kanabis kultivuesit e tyre ia hodhën paq pasi i shpëtuan arrestimit.
Policia e shtetit ka zbarkuar në qarkun e Fierit dhe të Shkodrës në një megaoperacion kundër kultivimit të kanabisit.
Pavarësisht se bëri bujë të madhe në media ku 80 efektivë të forcave të ndryshme policore zbarkuan në territorin e Divjakës për të kontrolluar magazina dhe banesa të braktisura ky operacion nuk rezultoi i suksesshëm.
Sipas njoftimit të policisë 12 grupet e kontrollit të ngritura në Divjakë, kanë ushtruar kontrolle në 264 sera, minisera, banesa të braktisura, magazina të ndryshme dhe ambiente të hapura por nuk mundën të zbulonin asnjë rrënjë kanabisi të kultivuar.
Nga ana tjetër mëngjesin e së premtes dy persona janë shpallur në kërkim nga policia e Shkodrës pas operacioneve të zhvilluara për kultivimin e kanabisit.
Halil Zenelaj 55 vjeç, banues në fshatin Oblikë si dhe Rozart Pjetri 38 vjeç, banues në fshatin Pulaj-Plazh Velipojë u shpallën në kërkim pasi dyshohet se kanë kultivuar kanabis në fshatin OBOT.
2 shtetasit e sipërpërmendur për shkak të terrenit të pyllëzuar, kanë mundur të largohen nga vendet ku kultivonin bimët narkotike duke I shpëtuar kështu prangosjes nga forcat blu.
Dronët e përdorur nga policia pikasën lëndën narkotike në mes të zonës së pyllëzuar e cila më pas u asgjësua nga policia me anë të djegies.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme ndërkohë që nga e ana e bluve të Shkodrës po punohet për të gjetur dhe të tjerë persona që mund të jenë të përfshirë.