Policia e Tiranës thotë se në zonën e “Xhamllikut” nuk ka ndodhur asnjë grabitje farmacie. Edhe subjekti “Farmaci Gledis” ku u pa një prezencë e efektivëve, nuk është grabitur, por në xhamin e saj është gjetur një sferë metalike.
“Në lidhje me një lajm të publikuar në portale për grabitje të një farmacie nën kërcënimin e armës, ju sqarojmë se lajmi është i pavërtetë. Më datë 25.06.2022, është marrë njoftim se në një farmaci, në xhamin e jashtëm të farmacisë ka një shenjë (ciflosje).
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se është konstatuar një sferë e armëve me ajër e cila nuk ka tejshpuar xhamin. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk është konstatuar asnjë person apo mjet që është afruar në drejtim të farmacisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon mirëkuptimin e mediave dhe para se të publikojnë lajme të kërkojnë informacion pranë DVP Tiranë”, vijon ai.