Me çmimet aktuale të karburanteve është e kuptueshme që jo të gjithë mund ta kenë luksin për të mbajtur një makinë. Megjithatë do të ishte e udhës që nëse të ardhurat nuk janë të mjaftueshme, ta linit mjetin në shtëpi e jo të largoheni nga karburanti pa paguar. Në të kundërt do t’ju ndodhë si në rastin e këtij 32-vjeçari në Durrës, i cili u arrestua nga policia.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se i riu ndaloi në një karburant dhe pasi mbushi makinën u largua pa paguar, për t’u arrestuar më pas në flagrancë. 32-vjeçari rezultoi po ashtu se ishte në gjendje të dehur.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin R. K., 32 vjeç, pasi ka furnizuar automjetin me karburant, në një pikë karburanti, dhe është larguar pa bërë pagesën. Pas ndalimit nga Policia rezultoi se 32-vjeçari drejtonte automjetin, në gjendje të dehur”, tha policia në një njoftim të shkurtër për ngjarjen.