Një projektligj i ri i propozuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama parashikon krijimin e një kancelarie nën kontrollin e kryeministrit, kufizimin e numrit të dekoratave dhe përcaktimin e një dekorate që ta japë vetë Rama.
Nga Gjergj Erebara-BIRN
Qeveria Shqiptare ka në plan të reformojë sistemin e dekoratave në vend, e cila deri më sot ka qenë në masë të gjerë diskrecion i Presidentit të Republikës, duke propozuar një projektligj që parashikon një numër titujsh nderi të dhëna me sasi të kufizuara çdo vit dhe pas një procesi përzgjedhës të realizuar nga një institucion i ri, kancelari i të cilit do të emërohet dhe shkarkohet nga kryeministri Edi Rama.
Projektligji parashikon gjithashtu që Rama të ketë të drejtë të japë një dekoratë ndërsa dekoratat e dhëna nga presidenti do të miratohen paraprakisht nga një këshill, në të cilin zyra e presidentit do të ketë vetëm një anëtar, ndërsa të tjerët do të jenë praktikisht vartës të kryeministrit.
Projektligji “Për Dekoratat në Republikën e Shqipërisë” u publikua për konsultim publik në faqen e konsultimeve publike.
Relacioni shoqërues i propozimit argumenton se projektligji në fjalë përbën një “rikthim te tradita shtetërore shqiptare e periudhës 1914-1944,” një periudhë gjatë së cilës, në fakt Shqipëria ishte në pjesën më të madhe një monarki absolute dhe në një pjesë jo të vogël, nën pushtimin nazi-fashist.
Sherri me Metën dhe komisioni kryeministror
Maxhoranca socialiste aktuale dhe kryeministri Edi Rama kanë shprehur vazhdimisht pakënaqësi në lidhje me dekoratat e shpërndara nga presidenti në largim Ilir Meta. Në një rast, vetë Rama deklaroi se “Meta shpërndan dekorata të pavlera” ndërsa deputetët socialistë në hetimin parlamentar që synoi shkarkimin e Metës konsideroi dhënien e dekoratave prej tij si “shkelje ligjore”.
Në fakt Meta firmosi disa qindra dekorata në një numër të lartë ceremonish ndërkohë që funksionet e tij politike si president ishin të kufizuara dhe u kufizuan akoma edhe më shumë gjatë zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ndërsa vëzhguesit vërejtën se si Meta vendosi të përdorë sa më shumë të mundej të vetmin mjet politik në dispozicion të tij me synimin e fitimit të simpatisë nga individë, familje apo grupime shoqërore të ndryshme, Rama duket se ka në plan që të përcaktojë vetë dekoratat që do të jepen.
Sipas projektligjit të propozuar, medaljet, pavarësisht se do të firmosen formalisht nga presidenti, do të kalojnë fillimisht nga një institucion i ri i quajtur Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve. Kancelaria do të drejtohet nga Kancelari, i cili, sipas projektligjit, do të emërohet dhe shkarkohet nga kryeministri dhe pranë tij do të funksionojë një “Kolegj i Urdhrave dhe Medaljeve”, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të kontrolluara kryesisht nga kryeministri si dhe një përfaqësues i presidencës, i cili do të ketë rolin e nënkryetarit. Projektligji i jep dorë të lirë kryeministrit të emërojë dhe shkarkojë kancelarin sipas dëshirës, “bazuar në kodin e punës”.
Në administratën publike shqiptare, kodi i punës zbatohet për marrëdhëniet e punës së rëndomta dhe nuk i jep mbrojtje zyrtarëve publikë nga pushimet e padrejta nga puna ndërsa Statusi i Nëpunësit Civil është ligji që duhet teorikisht të mbulojë marrëdhëniet e punës së zyrtarëve të nivelit të mesëm dhe të lartë të administratës publike dhe t’i mbrojë këta të fundit nga diskrecioni politik i drejtuesve politikë të institucioneve. Fakti që kryeministri ka zgjedhur kodin e punës për rregullimin e marrëdhënieve të punës së kancelarit, i jep atij mundësi të zgjedhë dhe shkarkojë kancelarë sipas dëshirës.
Pavarësisht kësaj, projektligji sanksionon që kancelari, për shkak të funksionit, të mbajë një titull të lartë. Ai do të quhet: Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës
Ligji i vitit 2013 që rregullon dekoratat përcakton që dekoratat “jepen kryesisht” nga presidenti i republikës ose me propozim të një numri titullarësh institucionesh. Në rastin e projektligjit të ri, presidentit i lind e drejta të japë vetëm 10% të dekoratave të përcaktuara me kuota vjetore ndërsa pjesa tjetër, pra 90%, duhet të kalojë përmes Kancelarisë dhe Kolegjit. Kolegji, sipas projektligjit, përbëhet nga nëntë anëtarë, nga të cilët, kancelari, drejtuesi i protokollit të shtetit dhe dy ekspertë, emërohen nga Këshilli i Ministrave, njëri emërohet nga Akademia e Shkencave, ndërsa tre duhet të jenë të moshuar të dekoruar më parë. Presidencës, institucionit që deri më sot jepte dekorata, i lihet një përfaqësues në këtë këshill.
Komandar, por kur je gjallë
Projektligji parashikon njëmbëdhjetë tituj nderi dhe medalje, ku secili nga titujt ka disa kategori. Titulli më i lartë do të quhet “Urdhri suprem i Shqiponjës”, e cila zëvendëson në këtë mënyrë dekoratën e Flamurit Kombëtar, e cila ishte dekorata më e lartë e ligjit aktual. Ajo do të jepet në gjashtë kategori: Gjerdani i madh, Ylli i Madh, Oficer i Madh, Komandar, Oficer dhe Kalorës. Presidenti i Republikës për shkak të funksionit shpallet menjëherë komandant i këtij urdhri me titullin “Ylli i Madh” ndërsa mbajtësit e titullit Ylli i Madh do të nderohen pas vdekjes me funeral ushtarak. Urdhri i Skënderbeut do të ketë gjithashtu të njëjtat kategori ndërsa në rang të tretë do të jetë Urdhri i Lisit Akademik, në bazë të së cilit, qytetarët me merita të veçanta në kulturë, shkencë, arte apo sport, do të mund të nderohen me titujt: Ylli i madh, Komandar ose Kalorës. Edhe në këtë rast, Presidenti i Republikës shpallet kryesisht komandant i ushtarit të lisit akademik pavarësisht nëse është apo jo akademik.
Projektligji parashikon 20 tituj Kalorës të të Shqiponjës dhe 50 kalorës të Skënderbeut pasuar nga 80 kalorës të lisit akademik të dhëna çdo vit. Në vitet pasardhëse, këta kalorës do të kenë mundësinë të ngjisin shkallët e karrierës së titujve duke u bërë Komandarë, Oficerë e të tjerë më sipër, deri sa të bëhen Yll i Madh.
Rama ka ruajtur për vete Medaljen e Meritës Civile, të cilën do të ketë të drejtë t’ia akordojë qytetarëve të ndryshëm. Rama do të ketë të drejtë të pajisë qytetarët me medalje të artë, të argjendtë ose të bronztë ndërsa ka të drejtë të pajisë të njëjtët njerëz më shumë se një herë.
Projektligji thekson se urdhrat duhet të jepen për njerëzit që janë gjallë “ose menjëherë pas vdekjes” me përjashtime të medaljes Pishtar i Demokracisë, dukshëm ky një reflektim ndaj dilemave të shkaktuara nga dekretet e Metës për të shpërndarë dekorata për figura të ndryshme historike si Pjetër Bogdani.
Medaljet dhe dekoratat nuk mbartin shpërblim financiar por të dekoruarit, sipas projektligjit, do të kenë trajtim prioritar në protokollin e shtetit, pra në rastet kur ka ceremoni publike, ata do të mund të zënë vend në rradhë të parë apo të hyjnë të parët.