Luljeta Bozo tashmë deputete prej më shumë se një viti në radhët e Partisë Socialiste shprehet e bindur se do të vazhdojë mandatin e saj për të përfaqësuar vullnetin e zgjedhësve.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Bozo flet për mënyrën si e ka parë politikën tashmë që është pjesë e saj. Ajo shprehet se politika ka plot gabime por nuk mund të themi se ajo është e pisët.
Deputetja socialiste thotë se në maxhorancën e PS ku ajo bën pjesë, mbizotëron ana pozitive pasi sipas saj të gjitha nismat e ndërmarra kanë qenë në funksion të zhvillimit të vendit.
Si e shikon politikën tashmë që je brenda saj…? Sa e pastër është politika? A kanë të drejtë qytetarët kur thonë se ajo është e “pistë”?
Qytetarët kanë të drejtë zakonisht por jo kur thonë se politika është e pisët. Si kudo në çdo fushë, aspekt të jetës ka gjera të pastra, korrekte, të mira dhe që çojnë përpara shoqërinë. Por ka edhe gabime por nuk mund të themi që politika është e pisët. Për aq kohë sa kam unë në kuvend shikoj që politika e tanishme është e ndryshme nga forcat e tjera politike.
Flas për mazhorancën socialiste ku unë bëj pjesë ku mbizotëron ana pozitive. Sigurisht ka edhe gabime, por në përgjithësi ka pozitivitet, pasi të gjitha nismat e ndërmarra kanë qenë në funksionit të zhvillimit të vendit, ekonomisë kryesisht për ta çuar atë përpara. Opozita nga ana e saj e ka për detyrë që të gjejë gabimet. Është detyrë e saj, por nganjëherë zmadhohet tej mase. E kam fjalën për akuzat pa bazë ndërkohë që në Kuvend duhet të flasësh me fakte.