Dy të rinj u arrestuan nga policia e Durrësit, pasi akuzohen se janë autorët që i janë futur në banesë një shtetaseje në datën 16 qershor dhe i kanë vjedhur tre orë dore.
Mësohet se në pranga ra edhe 30-vjeçari që përvetësoi njërën nga orat e vjedhura prej dy të rinjve.
Gjatë kontrollit në banesën e 30-vjeçarit me iniciale K.N., u gjetën 190 ora dore, të dyshuara të vjedhura.
Njoftimi:
Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Ëatches”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Zbardhet vjedhja e 3 orave të dorës, në banesën e një shtetaseje, vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.
Arrestohet edhe 30-vjeçari që përvetësoi njërën nga orat e vjedhura. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan 190 ora dore, të dyshuara të vjedhura.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen dhe dokumentimin e atyre të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ëatches”.
Si rezultat i këtij operacioni u ndaluan shtetasit:
A. A., 31 vjeç dhe M. V., 37 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 16.06.2022, kanë vjedhur 3 ora dore, në banesën e shtetases P. N., 32 vjeçe, banuese në Durrës.
Në vijim të veprimeve procedurale është arrestuar, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, shtetasi K. N., 30 vjeç, banues në Durrës.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë sepse ka përvetsuar njërën nga orat që dyshohet se shtetasit A. R. dhe M. V. e kanë vjedhur në banesën e shtetases P. N.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. N., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 190 ora të markave të ndryshme, të dyshuara të vjedhura.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durres, për veprime të mëtejshme.