Një 22-vjeçar danez u arrestua për sulmin me armë të ndodhur pasditen e kësaj të diele në një qendër tregtare në Kopenhagen të Danimarkës. Lajmi u bë i ditur nga kreu i policisë së kryeqytetit, që konfirmoi po ashtu se nga ngjarja ka disa viktima, por pa dhënë shifra.
Ai tha se motivet e ngjarjes nuk janë ende të qarta, por nuk përjashtoi terrorizmin. Ngjarja e rëndë ndodhi në Field, qendra më e madhe tregtare në Danimarkë, e cila ka mbi 140 dyqane dhe restorante.
BBC sjell edhe dëshmitë e disa personave që ndodheshin në qendrën tregtare në momentin që nisën të shtënat. “Nuk e kuptoje çfarë po ndodhte, papritur shpërtheu paniku dhe kaosi gjithandej”, tha një dëshmitar.
Ndërkohë, gjatë mbrëmjes ishte planifikuar një koncert i këngëtarit britanik Harry Styles, jo shumë larg qendrës tregtare. Organizatorët njoftuan në Facebook se koncerti do të mbahej pas bashkëpunimit të ngushtë me policinë lokale.