Policia spanjolle ka sekuestruar tre dronë nënujorë që ishin ndërtuar për të trafikuar drogë nga Maroku për në Evropë në rrugë detare, dhe ka arrestuar 8 persona të përfshirë në këtë aktivitet.
Sekuestrimi i dronëve dhe arrestimi i tetë personave nga Cadiz, Malaga dhe Barcelona është bërë pas hetimeve 14-mujore nga policia spanjolle.
Këta persona përbënin një bandë që dyshohet se i ndërtonin vetë dronët, e po ashtu merreshin edhe me furnizimin dhe trafikimin e drogës në të gjithë Evropën nga Maroku.
Policia spanjolle thotë se me arrestimin e 8 personave, banda është shkatërruar. Sipas policisë, kjo është hera e parë që në Spanjë zbulohet një mjet nënujor që mund të operohet pa pilot.
Dronët nëndetës pa pilot janë gjendje të mbajnë deri në 200 kg ngarkesë.
Ngushtica e Gjibraltarit është rripi i ngushtë i detit që ndan Marokun nga Spanja.
Një nga nëndetëset ishte ndërtuar plotësisht, dhe dy të tjera ishin ende në ndërtim. Besohet se dy nëndetëset që po ndërtoheshin kishin për qëllim t’u dorëzoheshin një bande franceze për kontrabandë kokaine.
Policia konfiskoi gjithashtu 14 kg kanabis, 8 kg marihuanë, më shumë se 157,300 € dhe gjashtë dronë të mëdhenj ajrorë.
Të pajisur me sisteme navigimi GPS, dronët nënujorë mund të kontrollohen e operohen nga trafikantë droge nga kudo në botë duke përdorur një pajisje interneti.
Mes të arrestuarve ishin babë dhe bir, njëri prej të cilëve sipas policisë është pilot i kualifikuar helikopteri, dhe ka njohuritë teknike të nevojshme për të ndërtuar automjete të tilla të sofistikuara.
Zyrtarët pretendojnë se banda ishte e specializuar në ndërtimin e një game të gjerë automjetesh ajrore, tokësore dhe detare të destinuara posaçërisht për transportin e drogës.
Banda akuzohet për furnizimin me pajisje të tilla të organizatave kriminale në Danimarkë, Itali, Francë dhe Spanjë.
Spanja është bërë një pikë kyçe për hyrjen e drogës në Evropë për shkak të afërsisë së saj me Marokun – një prodhues i madh i kanabisit, dhe lidhjeve të ngushta me Amerikën e Jugut, ku prodhohet pjesa më e madhe e kokainës në botë.