“Akuzat e opozitës, në kuadër të luftës politike”
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e bëra nga opozita lidhur me skemën e evazionit fiskal nëpërmjet TVSH nga 24 kompani të ndryshme. Në një dalje të posaçme për mediat, Ministrja Delina Ibrahimaj tha se akuzat bëhen në kuadër të luftës politike dhe nxitjes së njerëzve për të marrë pjesë në protestë.
“Jam në këtë konferencë për shtyp nisur nga zhurma e madhe e ditëve të fundit, e krijuar në kuadër të një lufte politike, në vigjilje të një proteste të lajmëruar, e cila nxit zhvillimin e një revolucioni imagjinar. Asnjë nga faktet e nxjerra në ditët e fundit nuk është i ri”.
Më tej ajo sqaroi se ka qenë pikërisht Administrata Tatimore ajo që i ka referuar këto raste në Prokurorinë e Tiranës, që në dhjetor të vitit 2018.
“Të gjitha faktet lidhen me procese të kryera vite më parë nga Administrata Tatimore. Më konkretisht, në dhjetor të vitit 2018, Administrata Tatimore ka referuar pranë prokurorisë një skemë mashtrimi të TVSH, e cila lidhej me fshehjen e të ardhurave, me evazionin fiskal, me pastrimin e parave. Janë referuar 20 subjekte dhe 24 individë, përgjegjës për krijimin e këtyre skemave të mashtrimit”.
Duke u ndalur te inceneratori i Tiranës, Ibrahimaj tha se zbatimi i kontratave është sipas planit.
“Përsa i përket punimeve të inceneratorit të Tiranës, sigurisht që ne si MFE jemi përgjegjës jo vetëm për koncesionet e inceneratorëve, por për të ndjekur dhe për të raportuar nëpërmjet një raporti vjetor që ne publikojmë ecurinë e të gjithë kontratave koncesionare. Secila kontratë koncesionare është në fazat përkatëse, sipas kontratave. Sa i përket bashkisë së Tiranës, kontrata është lidhur në 31 gusht të vitit 2017. Kohëzgjatja e kontratës është 30 vjet, pra ka një kohëzgjatja të gjerë dhe faza aktuale është faza e ndërtimit dhe operimit”.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur gjithashtu se autoriteti kontraktues në fund të vitit 2021 ka raportuar se punimet civile në inceneratorin e Tiranës që janë të përfunduara, zënë më pak se 20 % të vlerës totale të investimit dhe janë dorëzuar në kantier dhe janë funksionale pajisjet e kapanonit të selektimit, i cili është në operim e sipër.