Kualifikimi përballë Korabit ishte thjeshtë një detyrim, çdo përfundim tjetër do të kishte pasoja të mëdha, jo vetëm për stafin dhe lojtarët, në çdo aspekt do të ishte një goditje e rëndë. Vllaznia hodhi një hap më tej në Kupë, por si trajneri Brdaric ashtu dhe stafi drejtues, janë të vetëdijshëm se reagimi i shumë pritur duhet të vijë në kampionat, për ketë arsye gjoba e vendosur qëndron në fuqi. Shkodranët nuk njohin fitore prej 6 javësh, suksesi i fundit ishte përballë Apolonisë, një ecuri shumë negative që i zbriti ndjeshëm në tabelë, tashmë ndodhen në vendin e katër në kuotën e 42 pikëve.

Këtë të diel, Vllaznia udhëton në transfertë përballë Kastriotit, një rival me koeficient të lartë vështirësie por që shkodranët kanë ditur ti mposhtin edhe më herët, në dy përballjet sezonale i kanë marrë katër pikë. Kjo është një javë ku tre ekipet që ndodhen përpara përballen ndërmjet tyre, Laçi-Tirana dhe Partizani-Teuta, një mundësi shumë e mirë për të rikuperuar në raport me ekipet e tjera që e zbritën nga froni, por më parë duhet të marrin pikët e plota përballë Kastriotit, çdo përfundim tjetër do ti rrinte ngushte kuqebluve.
(BalkanWeb)