Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të komunitetit arbëresh të Italisë.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i shtetit ka theksuar se ka mbetur i surprizuar nga ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditave nga arbëreshët.
Postimi i plotë i Ilir Metës:
Takimet me përfaqësues të komunitetit shumë të dashur arbëresh janë gjithmonë emocionuese. I lumtur të prisja ngrohtësisht Nënkryetarin e Bashkisë Arbëreshe të Ururit, Molise, z.Emiliano Plescia dhe Këshilltarin për Kulturën të kësaj Bashkie, z.Roberto Anzivino.
Është mbresëlënëse dhe frymëzuese të njihesh me përpjekjet e tyre për të trashëguar brez pas brezi gjuhën, kulturën dhe traditat e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që meritojnë sa më parë të bëhen pjesë e UNESCO.
Jetike për mbrojtjen dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar të mbështesim dhe ndihmojmë arbëreshët të ruajnë këtë pasuri të vyer historike dhe kulturore, vlerë e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë mike.
E mirëprita me shumë kënaqësi ftesën për të vizituar Bashkinë e Ururit dhe do të kontribuoj me shumë dashuri për pasurimin e bibliotekës së saj me libra dhe botime në gjuhën shqipe.