Ushtria ruse ka vijuar me bombardimin e Ukrainas përgjatë të shtunës dhe tashmë po përgatitet për sulme të reja, sipas autoriteteve të Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vijojnë të rrisin ndihmën ushtarake për Kievin, i bënë thirrje Kinës që të dënojë “agresionin rus” në Ukrainë kurse Britania priti grupin e parë të ushtarëve ukrainas që do të trajnohen atje.
“Në Donbass, në Ukrainën lindore që dalëngadalë po bie nën kontrollin e Rusisë, “goditjet e ashpra të artilerisë ruse nuk ndalen as për një ditë, Sloviansk, Bakhmut, Avdika…”, u ankua mbrëmë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kërkoi për armë të tjera “moderne dhe të fuqishme”.
Në Ukrainën lindore, banorët e qytetit të vogël Druzkivka, në jug të Kramatorsk, u zgjuan të shtunën nga një sulm me raketa që hapi një krater të madh përpara një supermarketi.
Forcat ruse, të cilat në fillim të këtij muaji njoftuan se kishin marrë kontrollin e provincës Luhansk, e kanë kthyer vëmendjen e tyre në Donetsk me synimin për të kapur të gjithë luginën e Donbass-it, e cila është kontrolluar pjesërisht nga separatistët pro-rusë që nga viti 2014. Të paktën një person u vra dhe dy u plagosën në Kriviy Rig, sipas shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Ukrainës