Qeveria e Dritan Abazoviç nuk e ka më mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS).
Kështu është shprehur zyrtari i kësaj force politike, Jevto Erakoviç pas mbledhjes së Kryesisë së partisë këtë të dielë, shkruan RTCG.
Partia e kryesuar nga presidenti Milo Gjukanoviç, lëshoi një deklaratë ku theksohet keqardhja për ndryshimin e kursit politik të Malit të Zi, ku përmendet edhe miratimi i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Sipas DPS, marrëveshja është votuar pa u konsultuar, ka mangësi të shumta që janë shpallur publikisht nga opinioni profesional, përfaqësues të sektorit joqeveritar e subjekte të shumta politike si dhe përbën rrezik për shtetin.
Të premten, qeveria malazeze e drejtuar nga Dritan Abazoviç miratoi Marrëveshjen Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Nga 18 ministra të pranishëm, 13 prej tyre votuan pro ndëra 5 abstenuan.
Ndërsa, mijëra qytetarë u mblodhën të enjten mbrëma në Podgoricë për të protestuar kundër nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Protestuesit mbanin flamujt kombëtarë, të Bashkimit Evropian si dhe pankarta ku shkruhej se kryeministri Abazoviç, “do të përgjigjej për keqbërjet e tij”.