“Të eksportojmë në verë dhe të importojmë në dimër”
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj paralajmëron një dimër të vështirë energjitik për Kosovën.
Sipas tij kriza globale mund ta komplikojë edhe më tej tregun energjetik europian, ndërsa akuzon qeverinë Kurti për mungesë të strategjisë për përballimin e pasojave që do të prekin edhe qytetarët kosovar.
“Kosova është në një krizë të rëndë energjitike, sado që ajo nuk vërehet në këta muaj të verës.
Heqja dorë nga ndërtimi i kapaciteteve energjitike me thëngjill, në kohën kur shumë shtete perëndimore po i rikthehen atij, refuzimi i pakuptimtë i gazit amerikan dhe mungesa e një strategjie energjitike për kapërcimin e kësaj krize, është alarm i kuq se me fillimin e sezonit të dimrit na presin ditë të rënda”.
Ai nuk nguron t’i japë qeverisë edhe disa propozime konkrete sesi mund të përballohet situata, teksa sugjeron lidhjen edhe të një marrëveshje energjetike me Shqipërinë.
“Është urgjente që gjatë sezonit të verës të aftësohen termocentralet e Kosovës, duke u bërë remontet e nevojshme të blloqeve të tyre. Pa vonesë të shikohet mundësia e një “marrëveshjeje krize” me Shqipërinë për shkëmbim të energjisë (të jepet verës e të importohet dimrit). Gjithashtu të krijohen rezerva të naftës, benzinës dhe gazit.”
Gjithashtu Haradinaj propozon krijimin enjë fond emergjent për energjinë dhe ngrohjen për dimër.