Një punëtor i kompanisë së pastrimit të mbeturinave në kampin e muxhahedinëve në Manzë është aksidentuar për vdekje.
Ngjarja, sipas burimeve, është regjistruar gjatë ditës së shtunë, ndërsa Policia e Durrësit e njoftoi atë dy ditë më vonë. Sipas Policisë, Shaban Ceni, punëtor i pastrimit të mbeturinave, ka përfunduar brenda makinerisë që mbledh plehrat në kamp dhe është copëtuar prej saj.
NGJARJA
Ngjarja e rëndë është regjistruar fundjavën e shkuar, ndërsa 64-vjeçari i punësuar nga një kompani private për pastrimin e mbetjeve ishte duke kryer aktivitetin e tij të përditshëm, grumbullimin e mbeturinave në kamp. Babai i katër fëmijëve është dërguar me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nga plagët e shumta nuk arriti të mbijetonte. “Në Manzë, shtetasi Sh. C., 64 vjeç, banues në Sukth, Durrës, duke grumbulluar mbeturinat me makinën e pastrimit, te kampi MEK, aksidentalisht ka dëmtuar rëndë dorën.
Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Sh.C. ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, sqaroi policia. Mësohet se 64-vjeçari kishte disa vite që punonte në këtë kompani dhe i duheshin vetëm pak muaj të dilte në pension.
Burime nga grupi i hetimit thanë se viktima ishte duke vajisur kompresorët e makinerisë dhe në këtë moment ingranazhet e kanë tërhequr në brendësi të kazanit. Sipas dëshmisë se kolegëve të tij, makineria në një moment është bllokuar dhe teksa ai po tentonte ta zhbllokonte, aksidentalisht ka lëvizur levën dhe makineria e ka tërhequr brenda duke e dëmtuar rëndë. Për një moment 64-vjeçari arrin të shpëtojë, por kishte marrë plagë të thella në krah dhe shpatull, të cilat makineria ia kishte këputur. Për shkak të plagëve të marra, punëtori nuk ka mundur të mbijetojë.