Emiljano Shullazi mësohet t’i jetë nënshtruar një operacioni të dytë, ku këtë herë ndërhyrja kirurgjikale është kryer në dy krahët e tij. Të parin operacion kirurgjikal Shullazi e ka kryer në vitin 2017, në një spital privat.
Burimet thanë se i dënuari me 14 vite burgim për “Shtrëngim me anë të kanosjes për marrje pasurie”, vuan nga hernia diskale dhe e ka pasur të domosdoshme ndërhyrjen kirurgjike në dy krahët e tij. Ndërhyrja kirurgjikale vjen në një kohë, kur në datën 30 korrik 2022, Shullazit i mbaron afati kohor i qëndrimit në sistemin e izolimit të rreptë “41 biz”.
Nuk dihet me saktësi nëse Shullazit, do t’i shtyhet periudha e qëndrimit në “41 Bizz”, por pak ditë më parë i forti i Rrugës së Kavajës, fitoi në Gjykatën e Lartë, të drejtën e rigjykimit në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar se izolimi i tij në “41 bizz” ishte kryer në shkelje të hapur të normave dhe të drejtave të njeriut. Pas këtij operacioni, Shullazi ndodhet në spitalin e burgut.
Ndërsa gjendja e tij jo e mirë shëndetësore mund të ndikojë në daljen nga “41 bizz” dhe izolimin e tij në një burg të sigurisë së zakonshme. Shullazi përveç dënimin për vënie gjobash, tashmë është i përfshirë edhe në një hetim si pjesëmarrës në vrasjen më të bujshme të dekadës së parë të shekullit të ri në vendin tonë.
SPAK-u dhe një dëshmitar i penduar e kanë përfshirë emrin e tij në ekzekutimin mafioz të Vajdin Lamajt dhe të Klodian Saliut, ngjarje të ndodhura në harkun kohor të 48 orëve, njëra në Durrës e tjetra në Tiranë. Ai është i pandehur në këtë dosje dhe dëshmia e Luftar Reçit duket se do të jetë kyçe në procesin e bujshëm të vrasjes së biznesmenit të njohur Vajdin Lamaj.