Kina do të marrë “masa të fuqishme” nëse Nancy Pelosi, udhëheqëse e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, realizon planet e raportuara për vizitë në Tajvan, ka thënë Ministria e Jashtme kineze të martën.
Pelosi, e dyta në linjën e presidencës amerikane, pritet që në muajin gusht të vizitojë këtë ishull që vetëqeverisët, por që Kina e sheh si territorin e saj, ka raportuar e përditshmja Financial Times.
Fillimisht ishte planifikuar që vizita të realizohej në muajin prill, por diçka e tillë është shtyrë pas infektimit të Pelosit me koronavirus.
Nëse vizita realizohet, Pelosi do të bëhet ligjvënësja me pozitën me të lartë në SHBA që viziton këtë ishull, pas paraardhësit të saj, Newt Gingrich, që ka vepruar njëjtë 25 vjet më parë.
Kina është zotuar se do të aneksojë Tajvanin edhe me forcë, nëse e nevojshme, dhe ka dërguar aeroplanë luftarakë afër hapësirës ajrore tajvaneze, si dhe ka mbajtur stërvitje ushtarake të bazuara në skenarë pushtimi.
Vizita e Pelosit “do të dëmtonte integritetin territorial dhe sovranitetin e Kinës, do të ndikonte në marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe do të dërgonte mesazh të keq te forcat e pavarura tajvaneze”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijiang.
“Nëse SHBA insiston në marrjen e drejtimit të gabuar, Kina do të marrë masa të ashpra për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka thënë Zhao.
Ditëve të fundit, Kina ka ashpërsuar retorikën për shitjet e armëve amerikane në Tajvan, duke kërkuar anulim të marrëveshjes për armë në vlerë të 108 milionë dollarëve.
Raportet mes Kinës dhe Tajvanit
Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara? Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940, mirëpo Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur, qoftë edhe me forcë.
Si qeveriset Tajvani? Ky ishull ka kushtetutën e vet, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe rreth 300,000 trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.
Kush e njeh Tajvanin? Vetëm pak shtete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, mirëpo kanë një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten./REL