Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka vijuar edhe këtë të diel me takimet, ku sot është ndodhur në një tryezë me naftëtarët e Fierit.

Teksa diskutonin për problematikat e shumta, njëri prej naftëtarëve i ka treguar Kryemadhit se në këtë sektor mungon një strategji e saktë.

“Nuk ka strategji sepse nuk ka naftë, aktualisht Shqipëria, nuk e rafinon dot naftën dhe po të dojë. Sepse nuk ka rafineri dhe rafineria e Ballshit është shumë e vjetër. Është në pozicion të keq. Rama thoshte se rafinerinë e Ballshit do ta kthejmë në punë sepse e ka në dorë mafia. Nëse rafineria e Ballshit nuk vihet në punë edhe me pushtet mbrapa edhe duke vjedhur atëherë kjo tregon që rafineria e Ballshit ka vdekur” është shprehur ai.

Nga ana tjetër Kryemadhi ka thënë se në vendet e tjera, pagat e naftëtarëve nuk krahasohen me ato në vendin tonë.

Kryemadhi: Ajo çfarë ka ndodhur me rafinerinë e Ballshit është abuzimi që ka ndodhur me punëtorët atje. Sepse ne flasim edhe për pusët edhe për prodhimin. Dhe në aspektin menaxherial, unë nuk mund të bëhem dot eksperte sepse ju jeni tamam ekspert në këtë punë dhe jeni marrë por përpunimi dhe prodhimi janë dy gjëra të cilat dihet të shkojnë bashkarisht.

Janë mijëra punëtorë që kanë punuar me vite të tëra dhe janë specializuar dhe ashtu sikurse vjen dhe rasti i puseve të naftës që ka inxhinierë nafte që punojnë në puset e naftës, në shpimin e tyre, nxjerrjen e naftës dhe ka me qindra inxhinierë nafte që punojnë në Arabinë Saudite apo vende të tjera dhe janë teknik ku mund të punojnë inxhinierë këtu dhe ne importojmë inxhinierë nga vende të tjera që i paguajmë me paga stratosferike.

Ora news