Elbasan – Në takimin e zhvilluar mes Kryeministrit Rama dhe kandidatëve për deputetë të Qarkut Elbasan, në fjalën e saj përshëndetëse Znj. Evis Kushi ka nënvizuar fillimisht se është “është nder dhe privilegj i lartë që të jemi pjesë e skuadrës së PS të Elbasanit”.
“Për secilin prej nesh, nuk ka rëndësi nëse jemi i pari, i dyti apo i katërmbëdhjeti i kësaj liste, sepse ne jemi që të gjithë një skuadër që punon e lufton çdo ditë për të treguar energji dhe sinergji pranë qytetarëve” – tha Kushi duke cilësuar pse është i rëndësishëm mandati i tretë i PS:
“Në fakt, ne i kemi përsëritur gjithmonë që mandati i tretë i PS nuk është një qëllim në vetvete, por është mekanizmi i vetëm që na mundëson vazhdimin e reformave rrënjësore që kemi nisur; vazhdimin e betejave të rëndësishme që ne kemi nisur së bashku; betejën për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit; betejën e vaksinimit për të mposhtur pandeminë e COVID-19, e po ashtu për rimëkëmbjen e ekonomisë, integrimin Evropian; për arsimin, për shëndetësinë, e kështu me radhë në të gjitha fushat”.
Znj. Kushi u shpreh gjithashtu se “Populli i Elbasanit është një popull i mençur, një popull i urtë që di ta bëjë mirë diferencën midis planit tonë të veprimit dhe atyre që të vetmen alternativë kanë përçarjen, dhunën, konfliktin, baltën, shpifjen. Dhe unë jam e sigurt që populli i Elbasanit në 25 prill do të votojë për ata që punojnë”.
Gjatë fjalës së saj, Kushi u ndal gjithashtu edhe tek projekti për transformimin e lagjes “Kala” të Elbasanit:
“Ju kryeministër në vizitat e fundit që keni bërë këtu në Elbasan e keni mbështetur projektin për ta transformuar “Kalanë” e Elbasanit në një destinacion turistik, i cili do të sjellë zhvillim social, kulturor, ekonomik, për të gjithë qytetin. Në fakt, duket sikur unë kam konflikt interesi kur e përmend këtë gjë, por jam e bindur që njësoj si unë mendojnë jo vetëm anëtarët e kësaj skuadre, por të gjithë qytetarët e Elbasanit sepse transformimi i kësaj kalaje do të sjellë zhvillim jo vetëm për banorët e saj, por për të gjithë banorët e Elbasanit, madje dhe më gjerë se sa kaq. Kështu që unë kam shumë besim që ky projekt që do të fillojë së shpejti, sepse bashkia e Elbasanit e ka gati dhe unë kam shumë besim që puna do të shkojë shumë mirë, po ashtu sikurse me të gjithë projektet e tjera kemi gati, në mandatin e ardhshëm Elbasani do të ketë edhe shumë gjëra të tjera. Dhe ne si pjesë e skuadrës që PS do të krenohemi me punët që kemi bërë dhe me ato që do të vazhdojmë” – mbylli fjalën e saj, Znj. Kushi.
Top Channel