Kur dikush troket në derë, ne e dimë se para saj do të shfaqet një figurë njerëzore. Kur jemi duke ngarë makinën dhe dëgjojmë sirena, qëndrojmë vigjilent se mos na parakalon një ambulancë ose një makinë policie. Aftësia për të parashikuar është e natyrshme tek të gjitha qeniet njerëzore.

Por në cilën moshë jemi ne në gjendje të parashikojmë, se çfarë do të ndodhë bazuar në perceptimet tona? Një studim i Universitetit të Padovës në Itali, i pari që hulumton mbi këtë temë, ka treguar se nga mosha 4 muajsh, ne njerëzit jemi në gjendje të parashikojmë ngjarje bazuar tek tingujt që dëgjojmë.

Kur perceptojmë tinguj ose shohim imazhe, vetëm një pjesë e vogël e trurit (rreth 1–5 për qind) përpunon atë që shohim ose dëgjojmë. 95 për qind e mendjes sonë merret me bërjen eparashikimeve për atë që mund të ndodhë.

Hipoteza mbi atë që do të ndodhë, na ndihmon të optimizojmë burimet tona mendore dhe fizike, duke i përgatitur ato që të reagojnë më mirë dhe më shpejt ndaj ngjarjeve. “Ky cikël i vazhdueshëm i parashikimit-verifikimit-përditësimit, njihet në literaturën shkencore si truri parashikues dhe përcakton ekuilibrin delikat, që rregullon ndërveprimin midis botës sonë të brendshme dhe gjithçkaje të jashtme për ne”- thotë Xhovani Mento, koordinator i studimit.

Për të kuptuar se në cilën moshë ishte e pranishme kjo aftësi parashikuese, studiuesit analizuan aktivitetin elektrik të trurit të tre grupeve të njerëzve – të rriturve, 9 dhe 4 muajsh. Më pas ata kryen një Elektroencefalogram (EEG) në trurin e pjesëmarrësve, ndërsa këtyre të fundit iu vendosën para imazhe të fytyrave dhe objekteve, pasi dëgjuan më parë zëra dhe tinguj jo njerëzorë.

Rezultatet treguan se edhe tek foshnjat 4 dhe 9 muajsh, neuronet aktivizoheshin duke parashikuar ngjarjen sipas tingullit të dëgjuar. Për shembull, pasi dëgjonin zërin e një njeriu, të vegjlit e dinin se do të shihnin imazhin e një personi në ekran.

“Kjo kompetencë e hershme, është një parakusht themelor në zhvillimin e qenies njerëzore, për të garantuar menjëherë mundësinë e komunikimit me të tjerë të ngjashëm me ne”– thekson Tereza Farroni, autore e studimit. /Bota.al/