Nuredin Dumani, një nga bashkëpunëtorët më të rendësishëm të momentin që Prokuroria e Posaçme ka në dorë, ka nxjerrë emra të tjerë. Këtë herë ka përmendur një ish-funksionar të administratës publike.

Ish-zyrtari, që dikur ka drejtuar komunën Karinë në zonën e Peqinit, është duke u verifikuar nga Prokuroria e Posaçme SPAK, pasi ka të dhëna domethënëse se shtëpia e tij, ka shërbyer si bazë për fshehjen e makinave të vjedhura, që përdoreshin për vrasje nga grupi kriminal i Nuredin Dumanit.

Edhe i vëllai

Bashkë me ish-kryetarin e Komunës Karinë, Dumani ka treguar për prokurorët se protagonist ka qenë dhe vëlla i tij, i cili në vrasjen e marsit 2020 të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, ka ndihmuar njërin nga dy autorët, Eljo Bitrin, të largohet pasi ky i fundit braktisi makinën e krimit, në “Bishti i Zhurit” Rrogozhinë.

Sipas burimeve nga prokuroria SPAK, ish-kryetari i Komunës dhe vëllai i tij, përmenden në dy momente nga Nuredin Dumani. Atë të vrasjes së Emiljano Ramazanit ose siç njihej ndryshe si “Ili i Elbasanit” të ndodhur në 20 korrik 2020 dhe vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë të ndodhur në 2 Mars 2020.

Dumani mësohet tu ketë treguar prokurorëve se makinën e vjedhur që përdorën në vrasjen e Emiljano Ramazanit, fillimisht e kanë fshehur në garazhin e një vile tre katëshe, në fshatin Karinë të Peqinit.

Ndërsa pohon se automjeti “Passat”, ka qëndruar 3 ditë në këtë garazh dhe më pas, është çuar drejt zonës së Metalurgjikut, në magazinat e Arben Lazes, në Elbasan

“…drejtues në mjetin “Passat” ka qënë Eljo Bitri dhe e kemi çuar në fshatin Karinë. Makinën e kemi futur garazhin e një vilë 3 katëshe, e cila ishte e një shtetasi me mbiemrin Juba, që me sa di ka qënë kryetar Komune. Pas rreth 3 ditësh qëndrim në këtë garazh, më ka telefonuar Eljo Bitri, duke më thënë që të merrja makinën “Passat” dhe të çoja tek magazina e shtetasit Arben Laze në Metalurgjik, Fushë-Mbret…”-mësohet të ketë deklaruar Dumani.

Këto të dhëna kanë shërbyer për SPAK, që të verifikojnë pozicionin e ish-kryetarit të komunës Karinë, në raport me grupin kriminal të Dumanit që kryente vrasje me pagesë. Por të dhënat e rastit të parë janë përforcuar akoma më tepër dhe në një episode tjetër, atë të një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Durrës.

Bashkëpuntori i ka treguar SPAK, se teksa Henrik Hoxha dhe Eljo Bitri kanë vrarë me porosi të tij, Dorian Shkozën dhe Anxhelo Avdinë, Bitri është larguar me makinën e krimit drejt Rrogozhinës, ku dhe e ka djegur atë.

“…pasi Eljo Bitri, e ka djegur makinën tek vendi i quajtur “Bishti i Zhurit”, është pritur aty në një xhep të autostradës nga një kushëri i vet, që nuk ja di emrin. Por vëllai i këtij personi ka qënë kryetar komune…”- ka deklaruar Nuredin Dumani. Jo më larg se 10 ditë.

Dumani nxjerr emrin e Arben Lazes

Pak ditë më parë Ora News mësoi se i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka përmendur biznesmenin e ndjerë Arben Laze, ish president i ekipit të Elbasanit., si person që kishte ndihmuar grupin e vrasësve për fshehjen e makinës tip “Passat”, që u përdor në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit.

SPAK, vijon të hetojë këtë dosje dhe prej muajit prill, e deri më sot ka rimarrë disa herë në pyetje Nuredin Dumanin, i cili ka treguar dhjetëra emra që kanë bashkëpunuar me të në aktivitete kriminale si vrasje, vendosje tritoli, dhunim personi, vjedhje dhe grabitje me armë të bizneseve të ndryshme.

Në valën e parë të operacionit “Plumbi i Artë” të kryer në 18 Maj, SPAK arrestoi 18 persona, ndërsa 12 të tjerë janë shpallur në kërkim. /OraNews