Numra telefoni të qytetarëve dhe dokumente të klasifikuara sekret të policisë, ministrive dhe vetë qeverisë shqiptare, janë publikuar së fundi në rrjet nga autorët e sulmit kibernetik ndaj platformës e-albania. Ndryshe nga çfarë deklaruan institucionet se databaza shtetërore nuk ishte prekur, dosjet e publikuara nga organizata Home Land Justice përmbajnë e-maile dhe dokumente të ministrave Bledi Çuçi, Niko Peleshi, sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë dhe drejtoreshës së AKSHI-t.
Dokumente të klasifikuara, e-maile të ministrave, shkresa të institucioneve dhe një databazë e re me numra telefoni të shtetasve shqiptarë, janë publikuar nga grupi Home Land Justice që mori përsipër sulmin ndaj platformës e-albania pak javë më parë. Ndryshe nga çfarë deklaruan institucionet shqiptare se të dhënat ishin të sigurta, në fakt, rezulton se gjithçka është kopjuar nga autorët e sulmit kibernetik. Ata kanë publikuar së fundi e-mailet e ministrave Bledi Çuçi, Niko Peleshi dhe madje edhe vetë drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Databaza e publikuar përmban gjithçka ka mbërritur në postën elektronike të ministrave Çuçi e Peleshi, por edhe email-et që ata kanë dërguar, e madje, edhe materialet që ata kanë dashur të fshijnë. Në listën e dokumenteve të vjedhura janë shkresat ku policia komunikon me ministrin e brendshëm në shumicën e rasteve me dokumente të klasifikuara sekret, apo edhe letërkëmbimi i kreut të dikasterit të kryeministrinë
Vjedhjes së të dhënave nuk ika shpëtuar as email-i i drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj. Dosja me emrin e saj përmban gjithë shkresat që ajo ka marrë e dërguar nga vartësit Brenda institucionit por edhe dokumentet që ka shkëmbyer me qeverinë, ministritë dhe institucionet e tjera të vendit
Prokuroria e Tiranës thotë së është njohur të dhënat sensitive të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë të cilat po qarkullojnë në rrjet e ndërsa shton se edhe ky akt do ti bashkëngjitet për hetim dosjes së hapur në korrik pas sulmit ndaj platformës e-albania. Pavarësisht nisjes së hetimeve një muaj më parë, dhe bashkëpunimit me ekspertë të huaj, autoritetet shqiptare ende nuk kanë deklaruar kush kanë qenë autorët e sulmit kibernetik dhe cili ka qenë qëllimi i vërtetë i tyre.