Pas një pauze në pushimet e muajit Gusht, seanca gjyqësore kundër Ervis Bardhit, Etien Canit, Ardjan e Florenc Çapjas, dhe Jorgo Lekut, ka vijuar këtë të mërkurë me dëgjimin e dëshmisë së njërit prej të pandehurve, Klajdi Dokoli.
I riu akuzohet nga prokuroria e posaçme SPAK, se ka qenë pjesë e grupit të personave të mësipërm që ekzekutuan në 15 gusht 2012 në Elbasan, Gentian dhe Nezir Beqirin.
Gjatë gjithë rrëfimit të tij para gjykatës së posaçme, Klajdi Dokoli, ka pretenduar se në asnjë moment nuk ka marrë pjesë në këtë krim të rëndë. Madje ai tregoi se s’ka pasur njohje dhe shoqëri me të pandehurit e tjerë, si Florenc Çapja, Ardjan Çapja, Jorgo Lekun dhe dy të akuzuarit e tjerë në këtë proces.
Dokoli ju përgjigj pyetjeve të prokurorit Behar Dibra, duke përjashtuar se ka pasur shoqëri apo njohje me personat e tjerë bashkë të pandehur në këtë proces gjyqësor.
Por ndryshe nga sa pretendoi Dokoli, rezulton se në një postim të datës 22 qershor 2013 në profilin e tij në “Facebook”, i pandehuri shfaqet në një foto me Florenc Çapjan dhe Ardit Sinakollin.
I pandehuri mohoi dhe njohjen me Ardjan Çapjan, duke pretenduar se këtë person e kishte parë për herë të parë në një emision televiziv, ku është publikuar fotoja e tij me kryeministrin, Edi Rama.
Ndërsa emrin e Florenc Çapjas, e kishte parë për herë të parë në një dokument, gjatë periudhës kur punonte tek kolaudimi i makinave duke mohuar se e kishte parë ndonjeherë si fytyrë.
Sipas prokurorisë SPAK, Dokoli konsiderohet si lidhje shoqërore e Çapjave dhe emri i tij, ka dalë nga dëshmia e bashkëpunëtorit të prokurorisë, Ervis Bardhi, i cili u ka treguar prokurorëve se pjesë e skuadrës se vrasjes të babë e bir, ka qenë dhe i riu, Klajdi Dokoli.
Ndërsa sipas Bardhit, Dokoli ka mbajtur rolin e vëzhguesit të banesës së dy viktimave. Por në dëshminë e tij në gjykatë, Dokoli ka pohuar se nuk ka njohur asnjë nga viktimat
i pandehuri Dokoli, u ankua se vuan nga një sëmundje e rëndë dhe jeta e tij ka qenë e lidhur shumë me spitalet.
Madje ai i kërkoi gjykatës disa minuta pushim, pasi realisht nuk e ndjente veten mirë.
Ora news