Qeveria do të zhvillojë një konsultim publik përsa i takon ndryshimeve në Kodin Penal. Në ndryshime propozohen dënime më të ashpra për personat që ripërsërisnin krimin e bërë më herët në të njëjtat rrethana.
Po ashtu është hequr edhe gjykimi i shkurtuar për të gjithë personat të cilët janë dënuar për veprën penale të dhunës në familje.
Njoftimi i Plotë:
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një proces gjithëpërfshirës të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë. Një ndër pyetjet drejtuar qytetarëve konsistonte në çështjen nëse duhen ashpërsuar dënimet për personat përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit, duke e dyfishuar dënimin për ta dhe duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve (pyetja nr. 2). Si bazë arsyetuese për përcaktimin e kësaj pyetjeje, është parashikuar se kjo masë garanton që autorët përsëritës të krimeve të rënda kundër personit të marrin dënime edhe më të ashpra se ato që parashikojnë ligjet në fuqi, ndërkohë që personat që ushtrojnë dhunë në familje dhe krime kundër fëmijëve të mos kenë mundësi të përfitojnë ulje dënimi prej gjykimit të shkurtuar.
Në këtë kuadër, pas vlerësimit pozitiv të këtij pyetësori, është ndërmarrë nisma për ashpërsimin e dënimeve penale për të dënuarit përsëritës për krime të kryera me dashje duke shtuar një parashikim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Nëpërmjet këtij projektligji synohet parandalim i posaçëm i për uljen e nivelit të kriminalitetit për krimet e kryera me dashje nga persona të cilët janë dënuar më parë po për një krim të kryer me dashje. Në rastin e krimeve të kryera me dashje nga të dënuarit përsëritës, dënimit të përcaktuar nga dispozita përkatëse i shtohet edhe dënimi shtesë, i cili varet nga lloji i krimit të ri të kryer, kohëzgjatjes mes kryerjes së veprave penale, faktit nëse vepra e re penale kryhet para apo pas përfundimit të dënimit të mëparshëm si dhe faktit nëse autori është dënuar më parë si përsëritës në kryerjen e krimeve me dashje.
1. Në caktimin e dënimit për personat përsëritës, gjykata mban parasysh nëse autori ka kryer krim të njëjtë me krimin e mëparshëm, nëse krimet janë kryer për të njëjtat motive, kohën e kaluar nga caktimi i dënimit të mëparshëm, apo nga dënimi i ekzekutuar ose i falur.
Kjo pikëështë një pikë e përgjithshme udhëzuese e cila guidon gjykatën në përdorimin e instrumentit të shtimit/rritjes së dënimit kur ndodhet para faktit të kryerjes së krimeve me dashje në mënyrë të përsëritur. Në marrjen e vendimit nga gjykata për shtimin e dënimit, me qëllim individualizimin e dënimit duhet të merren në konsideratë elementë si lloji i krimit të ri të kryer, motivi i tij, koha e kryerjes së veprës së re penale në raport me veprën e kryer më parë (për të cilën është dhënë një vendim i formës së prerë).
2. Në rastin kur personi, pasi është dënuar më parë për një krim të kryer me dashje, kryen një tjetër krim me dashje, gjykata mund të shtojë masën e dënimit me një të tretën e dënimit të krimit të ri të kryer me dashje.
Nëpërmjet këtij parashikimi, gjykatës kur i paraqitet një rast ku një person është dënuar më parë për një krim me dashje, dhe nuk është rehabilituar, dhe kryen një tjetër krim me dashje, gjykata vlerëson nëse është rasti për të shtuar masën e dënimit të dhënë. Shtimi i dënimit nuk është obligator për gjykatën, por nëse gjykata vlerëson se shtimi i dënimit i shërben rehabilitimit social të personit i shton dënimit të dhënë 1/3 (një të tretën) e dënimit që ka caktuar. Pra shtimi i dënimit në vetvete nuk është i detyrueshëm, por masa e dënimit që shtohet është e detyrueshme për tu respektuar nga gjykata (që në rastin konkret është 1/3 e dënimit të dhënë).
Shtimi i dënimit në këtë rast bëhet me masën e dënimit të dhënë dhe jo me masën e dënimit që parashikon vepra penale konkrete, me qëllim ruajtjen e balancës rast pas rasti dhe krijimin e mundësisë për gjykatën për të individualizuar dënimin.
3. Dënimi mund të shtohet deri në një të dytën në rastet kur:
a) krimi i ri i kryer, me dashje, është i së njëjtës natyrë;
b) krimi i ri me dashje është kryer gjatëekzekutimit të dënimitapo gjatë kohës në të cilën i dënuari vullnetarisht i shmanget ekzekutimit të dënimit;
c) krimi i ri, me dashje, është kryer brenda pesë viteve nga përfundimi i ekzekutimit të dënimit të mëparshëm.
Nëpërmjet këtij parashikimi, kur paraqitet një rast ku një person është dënuar më parë për një krim me dashje, dhe nuk është rehabilituar, dhe kryen një tjetër krim me dashje të së njëjtës natyrë, kur krimi i ri kryhet gjatë kohës së ekzekutimit të dënimit apo para së të vihet në ekzekutim, ose kur kryhet brenda 5 viteve nga përfundimi i ekzekutimit të dënimit, gjykata vlerëson nëse është e udhës të shtojë dënimin penal. Sipas këtij parashikimi dënimi shtohet deri me 1/2 (një të dytën) e masës së dënimit që gjykata ka dhënë për krimin e ri të kryer. Shtimi i dënimit në vetvete nuk është i detyrueshëm, por masa e dënimit që shtohet është e detyrueshme për tu respektuar nga gjykata (që në rastin konkret është deri në 1/2 e dënimit të dhënë).
Në dallim nga paragrafi i dytë ku dënimi shtohet me 1/3, sipas këtij paragrafi dënimi mund të shtohet deri në 1/2 për shkak të elementëve që rrisin rrezikshmërinë e autorit, siç është kryerja e të njëjtës vepër penale apo e veprave penale të ngjashme (gjë qëështë një tregues se personi ka predispozita për ta kryer atë vepër penale nëvijimësi dhe lipset një dënim i posaçëm për të mundësuar rehabilitimin social të tij). Po kështu kryerja e krimit të ri me dashje gjatë ekzekutimit të dënimit apo brenda 5 viteve nga përfundimi i tij nënkupton se personi nuk ka përfituar/nuk është korrigjuar nga dënimi i dhënë më parë për krimin përkatës. Rrjedhimisht, shtesa e dënimit shtohet deri në 1/2 e dënimit të dhënë për krimin e ri të kryer.
4. Nëse ekzistojnë disa nga rrethanat e përmendura në paragrafin e tretë të këtij neni, gjykata mund të shtojë dënimin me një të dytën e tij.
Nëpërmjet këtij parashikimi, në rastet kur njëkohësisht gjykata konstaton se ekzistojnë disa nga rrethanat e listuar në paragrafin 3 të kësaj dispozite, mund ta shtojë dënimin me 1/2 e masës së dënimit për krimin e ri me dashje. Shtimi i dënimit në vetvete nuk është i detyrueshëm, por masa e dënimit që shtohet është e detyrueshme për tu respektuar nga gjykata (që në rastin konkret është 1/2 e dënimit të dhënë).
5. Në rastin kur autori kryen tjetër krim me dashje, pasi është cilësuar më parë si përsëritës, dënimi mund të shtohet me gjysmën e tij në rastet e parashikuar nga paragrafi i dytë dhe me dy të tretat në rastet e parashikuar nga paragrafi i tretë. Në rastet kur janë kryer krimet e parashikuar nga nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 107/a, 108, 108/a, 109, 109/a, 110/a, 110/b, 114/2 kur vepra kryhet me të mitur, 117, 128/b, 130/a paragrafët 3 dhe 4, 139, 140, 141, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 234/a, 234/b, 278, paragrafët 1, 5, 6, 278/a, 283, paragrafët 2 dhe 3, 283/a, 284/a, 284/c, paragrafët 2 dhe 3, 333, 333/a të këtij kodi, gjykata mund të shtojë dënimin me jo më pak se një të tretën e dënimit tëkrimit të ri të kryer me dashje.
Nëpërmjet këtij parashikimi, nërastet kur gjykata konstaton se personi është përsëritës për tëdisajtën herë (pra është dënuar më parë si përsëritës) mund ta shtojë dënimin me 1/2 apo ose 2/3 e dënimit të dhënë për krimin e ri të kryer me dashje. Ndërsa kur personi është përsëritës për tëdisajtën herë për veprat penale të cituara në këtë dispozitë gjykata mund ta shtojë dënimin me jo më pak se një të tretën e dënimit e caktuar për krimin e ri të kryer. Ashtu si në paragrafët e tjerë të këtij neni edhe në këtë rast shtimi i dënimit në vetvete nuk është i detyrueshëm, por masa e dënimit që shtohet është e detyrueshme për tu respektuar nga gjykata (që në rastin konkret është 1/2, 2/3 apo jo më pak se 1/3 e dënimit të dhënë për krimin e ri të kryer).
6. Shtimi i dënimit për efekt të cilësimit të autorit si përsëritës nuk mund të kapërcejë kufirin më të lartë të parashikuar në ligj për llojin e dënimit të dhënë.
Nëpërmjet këtij parashikimi, garantohet se gjykata në shtimin e dënimit nuk do të tejkalojë limitin e parashikuar në ligj për llojin e dënimit të dhënë.
Në pikën e dytëtë projektvendimit parashikohet fati i hyrjes në fuqi të projektvendimit i cili hyn në fuqi menjëherë.