Një ditë pas uraganit Ian në Florida, kanë nisur kërkimet nga Ekuipazhet e Kërkimit dhe Shpëtimit urban për njerëzit e zhdukur dhe për vlerësimin e dëmeve infrastrukturore.
Sipas përditësimit, 98% e qarkut aktualisht është pa energji elektrike dhe pritet që situata të vazhdojë, pasi ka probleme edhe me furnizimin me ujë.
Për të gjithë banorët që kanë lënë shtëpitë e tyre, autoritetet vendase po punojnë për t’i strehuar dhe për t’i pajisur me veshje dhe ushqim.
Dhjetra shtëpi janë ende nën ujë dhe shumë ndërtesa të tjera janë dëmtuar rëndë në zonën e Fort Myers këtë mëngjes, sipas fotove të reja të publikuara nga Roja Bregdetare e SHBA.
Në një nga fotot, një pjesë e asaj që duket të jetë një lagje e tërë është nën ujë. Në një pjesë tjetër, mbeturinat mbulojnë tokën përreth shtëpive.
Në disa ndërtesa, çatitë janë shkatërruar. Komuniteti i Floridës jugperëndimore është ndër zonat më të goditura nga stuhia.