Propozimet e njeriut më të pasur në botë, Elon Musk për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përmes aneksinimit të Krimesë Rusisë, janë pritur pozitivisht nga Kremlini.
Në një reagim këtë të martë Moska zyrtare përmes zëdhënësit të saj, Dmitry Peskov u tha gazetarëve që është shumë pozitive si fakt që dikush si Elon Musk po kërkon një zgjidhje për konfliktin që ka muaj që vazhdon në Europë.
“Është shumë pozitive që dikush si Elon Musk po kërkon një rrugëdalje paqësore nga kjo situatë. Krahasuar me shumë diplomatë profesionistë, Musk është ende në kërkim të mënyrave për të arritur paqen. Dhe arritja e paqes pa përmbushjen e kushteve të Rusisë është absolutisht e pamundur,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë.
Propozimet e shefit të “Teslas”, Elon Musk nuk u pritën mirë nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky si dhe krijuan mjaft debate në rrjet.
Njeriu më i pasur në botë, biznesmeni amerikan Elon Musk, dha katër propozime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
I përfshirë në debatin e madh se si mund të arrihet paqja mes dy vendeve, mes propozimeve të Musk, renditen edhe ato që presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky i quan si vija të kuqe, çështje që nuk mund të bëhen pjesë e negociatave me Rusinë.
Sipas Musk, në krahinat e aneksuara me forcë dhe referendum fals nga Rusia, duhet të mbahet sërish referendum, këtë herë nën monitorimin e Kombeve të Bashkuara. “Rusia largohet nëse ky është vullneti i njerëzve”, shkruan ai.
Më tej Musk thotë se Krimea duhet të jetë pjesë e Rusisë, t’i kthehet furnizimi me ujë dhe Ukraina të ketë statusin e vendit neutral. Megjithatë propozimet e Musk i janë drejtuar miliona ndjekësve të tij në formë pyetjeje.