Që nga viti 1945, qeveritë në Shqipëri kanë bërë regjistrime të rregullta të popullsisë (cense) të paktën një herë në 10 vjet, përveçse dy vitet e fundit. Censi i vitit 2020, që fillimisht u shty nga pandemia, nuk u realizua më 2021, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme, kurse këtë vit u bë shkak dështimi i një tenderi për të prokuruar tabletët. Grupet e interesit, si partitë politike, qeveria, komuniteti i biznesit dhe bota akademike i kanë emergjente të dhënat mbi popullsinë dhe banesat, pasi tranzicioni demografik është bërë shumë i egër nga emigracioni masiv. Politikat e zhvillimit po rezultojnë problematike nga të dhënat e pasakta mbi kapitalin human.

Zhvillimet ekonomike dhe demografike të vendit tonë janë në një fazë që e kanë emergjente shifrën e saktë të popullsisë që jeton në Shqipëri dhe inventarin e banesave. Grupet e interesit, politika, bizneset dhe organizatat e kanë të vështirë të zhvillojnë projeksione të sakta, pasi siç duket, popullsia në vend është më e vogël se sa raportohet në shifrat zyrtare.

Nga ana tjetër, të gjitha fondet e lira në ekonomi janë përqendruar në sektorin e ndërtimit, në një kohë që inventari i banesave bosh është shumë i lartë.

Përvoja historike ka treguar se regjistrimi një herë në 10 vjet i popullsisë është i mjaftueshëm për të freskuar të dhënat dhe ky periodicitet respektohet nga shumica e shteteve nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kështu ka ndodhur edhe në vendin tonë që pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjistrimi i popullsisë është bërë në mënyrë korrekte brenda 10-vjeçarëve nga viti 1945 – 2011.

Regjistrimi tjetër, i planifikuar të kryhej në vitin 2020, u shty për shkak të kufizimeve që krijoi pandemia COVID-19. Në vitin 2021, censi i shty sërish për shkak se, standardet ndërkombëtare të përafruara nuk lejojnë që popullsia të numërohet në vite zgjedhore. Regjistrimi që pritej të kryhej në tetor të këtij viti, u shty sërish së fundmi nga INSTAT, për arsye që lidhen me mungesën e infrastrukturës teknologjike.

Kjo është shtyrja e dytë e regjistrimit të popullsisë që nga censi i parë zyrtar në vitin 1923. Numërimi i popullatës është bërë rregullisht, përveçse në vitet 1940 kur vendi ishte përfshirë në Luftën e Dytë Botërore. Shtyrja e fundit rezulton të jetë e dyta në historinë e censeve dhe e para pas Luftës së Dytë Botërore.

Që nga viti i fundit, kur u regjistruan popullsia dhe banesat në vitin 2011, demografia e vendit ka pësuar ndryshime të mëdha nga emigrimi dhe lëvizjet e brendshme. Matjet e tërthorta të INSTAT sugjerojnë se nga vendi, gjatë dekadës së fundit, janë larguar 230 mijë deri në 600 mijë persona.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur zhvendosje të mëdha të popullsisë nga qarqet drejt qendrës së vendit. Qeveria që është operatori më i madh ekonomik duket se po bën investime në disa zona që në dhjetë vitet e ardhshme nuk do të ketë asnjë banor.

Instituti i Statistikave, që është prodhuesi kryesor i të dhënave për vendin tonë, vlerëson se, njohja e numrit dhe strukturës së popullsisë sipas moshës dhe gjinisë është jetike, qoftë në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë lokal, si dhe brenda komuniteteve të ndryshme.

Pa informacion kombëtar dhe lokal mbi popullsinë, karakteristikat e saj, arsimin, statusin në punësim dhe shëndet, shërbimet dhe bizneset tona publike nuk mund t’u shërbejnë komuniteteve tona sa më mirë që të jetë e mundur.

Komuniteti i biznesit është mjaft i shqetësuar, sidomos këtë vit, ku vërehet një rritje më agresive e emigrimit të të rinjve, aq sa në disa kompani, konsumi ka pësuar rënie të fortë edhe për këtë shkak.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se, pasaktësia e të dhënave ose vështirësia në sigurimin e statistikave për kapitalin human po i vë në vështirësi sipërmarrjet në Shqipëri. Ai shtoi se, kapitali human, arsimi profesional gjithnjë e më shumë po bëhen një nga barrierat që po vënë në vështirësi sipërmarrjen, e cila po përballet çdo ditë me fenomene si: mungesa e fuqisë punëtore e kualifikuar, plakja e popullsisë dhe emigracioni.

Akademiku Selami Xhepa, ekspert në ekonomi dhe kërkime, e vlerësoi thelbësore statistikën e popullsisë, sidomos në rrafshin ekonomik. Sipas tij, kapitali human është burimi themelor i rritjes.

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehet se për një parti politike, censi është shumë i rëndësishëm, sepse jep informacionin, jo vetëm për numrin e popullsisë, por për punësimin, demografinë, emigracionin dhe për ndërtimet, bujqësinë etj.

Sipas saj, janë të gjitha çështje të cilat, së pari, shërbejnë në funksion të zgjedhjeve dhe së dyti, në funksion të politikave. Tabaku e konsideroi problem faktin se, sipas ligjit të Kombeve të Bashkuara, censi nuk bëhet në periudhë zgjedhjesh dhe vitin që vjen janë zgjedhjet lokale.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme shifra e saktë e popullsisë, pasi përcakton madhësinë e fenomenit të emigracionit, po njëkohësisht përdoret për çështje elektorale dhe bazë të dhënash.

Shtyrja e censit, peng i tenderit të tabletëve

Duket paradoksale që angazhimi më i madh statistikor në vend të mbetet peng i një tenderi. Në një sqarim të posaçëm për “Monitor”, Instituti i Statistikave (INSTAT) sqaroi se, Censi i Popullsisë dhe Banesave është shtyrë si pasojë e mossigurimit të mjeteve për një prej proceseve, atë të grumbullimit dhe njëkohësisht monitorimit të informacionit në terren që janë tabletët.

Ndryshe nga Censi i Popullsisë dhe Banesave i vitit 2011, INSTAT në këtë cens do të mbledhë informacionin pranë familjeve me tabletë me të cilët përpunimi i informacionit të mëtejshëm do të jetë më i shpejtë, më i saktë, totalisht i monitorueshëm dhe do të mundësojë publikimin e rezultateve në një periudhë më të shpejtë se sa ai i vitit 2011, sqaroi INSTAT.

Përpjekjet për tenderimin e tabletëve kanë dështuar dhe procesi ka hyrë në një rrugë të gjatë, pasi pjesëmarrësit në garë kanë ankimuar te Komisioni i Prokurimit Publik, i cili do kohën e tij për të marrë vendimet që shpesh kërkojnë ribërjen e tenderëve.

Në mars të këtij viti, INSTAT shpalli garën për blerjen e rreth 8 mijë tabletëve me vlerë 225 milionë lekë, të cilët do të shërbenin për regjistrimin e popullsisë në tetor të këtij viti. Të dhënat nga Agjencia e Prokurimit Publik treguan fituese subjektin “PC Store” sh.p.k., me ofertën më të ulët 169.6 milionë lekë, me kursim gati 500 milionë lekë nga fondi total.

Në qershor, dy kompani pjesëmarrëse në garë, “Infosoft Systmes” dhe “Ligus” u ankuan te Komisioni i Prokurimit Publik, edhe pse kishin paraqitur vlera të larta në ofertat e tyre, me idenë se kompania fituese nuk plotësonte kriteret teknike.

Ankesat lidhen me disa kritere teknike që duhet të përmbushnin tabletët dhe aktualisht janë proces vlerësimi nga KPP, por ndërkohë është penguar një nga operacionet më të mëdha statistikore, ku i interesuari kryesor është vetë qeveria.

Burime nga INSTAT bënë të ditur se ankesat e kompanive për kriteret teknike të tabletëve nuk qëndrojnë. Tabletët do të përdoren vetëm një herë dhe nuk ka asnjë kuptim të kërkohen kritere të përdorimit të zakonshëm dhe as të ketë një servis të autorizuar, siç kanë kërkuar konkurrentët.

Fatura 15.8 milionë euro e 2018-s nuk mjafton

Këto kohë, regjistrimi i popullsisë është bërë i kushtueshëm kudo në botë. Censet që u bënë në dekadën e kaluar kishin kosto mesatare të regjistrimit për një person 1 dollar, por në vitin 2021 arriti mesatarisht në 3 dollarë, sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara.

Në Shqipëri, për të realizuar censin e vitit 2020, që në vitin 2018 ishte miratuar një buxhet prej 15.8 milionë eurosh, i cili do të përdorej për regjistrimin e popullsisë dhe banesave. Kjo shumë do të financohej në masën 52% nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët. Bashkimi Europian ka financuar 31% të totalit dhe 17%, donatorë të tjerë. Por shtyrjet që u bënë për tre vite rresht kanë zhvlerësuar fondin fillestar. Çmimet janë rritur për të gjitha mallrat dhe shërbimet dhe INSTAT duket se ka ngecur në qarkun e tenderave dhe fondeve për të bërë statistikën e re të popullsisë.

INSTAT shpjegon se Censi i radhës do të shërbejë si bazë për kalimin nga metoda tradicionale drejt metodave të bazuara në regjistra pas vitit 2021. Mbështetja e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) do të sigurojë që elementet e nevojshme për ngritjen e regjistrave statistikorë të inkorporohen dhe të testohen në terren, duke përfshirë edhe Censin Pilot.

SDC, nëpërmjet projektit SALSTAT, kontribuoi në aktivitetet e Censit me testimin e procesit të përditësimit të informacionit gjeografik (hartave të Censit) nëpërmjet përdorimit të metodave të reja në mbledhjen e të dhënave në terren, si dhe identifikimin e elementeve të përbashkëta me regjistrat administrativë ekzistues. Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sida) ka dhënë kontributin e saj për blerjen e serverëve që do të shërbejnë për Censin.

Ambasada Franceze do të mbështesë përgatitjen e analizës së rreziqeve, ndërsa Departamenti i Popullsisë në Kombet e Bashkuara financoi pajisjen me tabletë. Por, tenderi i tabletave, në fakt, ka ndërlikuar të gjithë procesin duke e shtyrë në kohë dhe duke e bërë më të kushtueshëm censin e radhës.

Afati i ri për Censin, vjeshtë 2023

INSTAT shpjegoi se do të propozojë në planin vjetor të vitit 2023 periudhën dhe datën e kryerjes së Censit. Viti 2023 është vit zgjedhor dhe ka kufizime për zhvillimin e Censit, për shkak se legjislacioni në fuqi e ndalon regjistrimin e popullsisë në kohë zgjedhjesh.

Mirëpo burimet nga INSTAT mendojnë se procesi i censit do të mund të zhvillohet gjatë vjeshtës së vitit 2023, teksa zgjedhjet lokale do të mbahen në pranverë.