“Çmenduria” për të ardhmen e Cristiano Ronaldos mund të vijë nga Turqia. Galatasaray po përgatit tashmë seriozisht ofertën për sulmuesin portugez.

Kontrata aktuale e CR7 me Manchester United përfundon në qershor të viti 2023, teksa tashmë largimi i tij nga “Old Trafford” është thuajse i sigurtë.

Sipas “Fotomac”, Galatasaray do të bëjë gjithçka për të nënshkruar me sulmuesin në janar, me nënpresidentin e klubit Erden Timur në ‘kontakt të vazhdueshëm’ me përfaqësuesit e lojtarit.

“Nuk mund të jap emra tani. Nuk e di nëse është Ronaldo apo dikush tjetër, por reagimet e yjeve janë pozitive dhe historia e Galatasaray është e mbushur me lojtarë të tillë”, ka theksuar Timur.

Gjiganti turk nuk do të jetë në gjendje t’i ofrojë Ronaldos futboll evropian këtë sezon, pasi përfunduan në pozitën e 13-të në Superligë gjatë sezonit 2021-2022.

Bayern Munich, Paris Saint-Germain dhe Chelsea besohet të jenë ndër klubet që kanë refuzuar mundësinë për të nënshkruar me ish-lojtarin e Real Madridit gjatë verës.

Ronaldo shënoi 24 gola për 20 herë kampionët e Anglisë gjatë sezonit 2021-22, pasi siguroi një rikthim në klub nga Juventusi.