Mijëra njerëz në Australinë juglindore u urdhëruan të evakuohen nga shtëpitë e tyre sot, përfshirë banorët e periferisë perëndimore të Melburnit, pas dy ditësh shiu të dendur që shkaktuan përmbytje të menjëhershme dhe vërshime të lumenjve.
Zona të mëdha të shtetit të Viktorias, Uellsit të Ri Jugor dhe shtetit ishullor të Tasmanisë janë goditur nga shira të dendur që nga e mërkura , me vëllimin e ujit që ra në disa zona tejkalon atë që zakonisht regjistrohet në një muaj, thanë zyrtarët.
Lumenjtë janë në rrezik të tejmbushjes, ka paralajmëruar kreu i shërbimeve të urgjencës në Victoria, Tim Wimbush. Për shkak të kësaj ngjarje, shumë banorë të shtetit u detyruan të largohen nga banesat e tyre gjatë natës. Në të njëjtën kohë, u kryen më shumë se 200 operacione shpëtimi.
“Unë mendoj se e gjithë kjo do të shkaktojë dëme në pronë, në rrugë, në infrastrukturën publike dhe vëllimi i ujit do të arrijë një rekord të ri ,” paralajmëroi Kryeministri i Viktorias, Daniel Andrews.
Ai shtoi se nesër, të shtunën , do të merret një vendim nëse do të rihapen qendrat e karantinës Covid-19 të ngritura nga shteti, këtë herë për të strehuar të prekurit nga përmbytjet.
Imazhet në mediat sociale treguan banorët që ecnin nëpër rrugë të përmbytura, deri në gjunjë në ujë, ndërsa të tjerët u shpëtuan në varka. Mediat lokale raportuan se rreth 200 kuaj rrezikoheshin të fshiheshin nga ujërat në qytetin Mangalore .
Rreth 1,000 banorë të Wedderburn , një qytet i vogël në veri të Melburnit, janë urdhëruar të evakuojnë shtëpitë e tyre pasi një digë aty pranë kërcënon të thyhet.
Në Tasmani sot janë lëshuar urdhra të rinj evakuimi, ndërsa në Uellsin e Ri Jugor qindra banorë kanë kaluar natën në strehim.
Shiu filloi të pushonte sot, por Zyra Meteorologjike ka paralajmëruar se javën e ardhshme pritet një tjetër sistem potencialisht i rrezikshëm .
Përmbytjet katastrofike kanë goditur vazhdimisht bregun lindor të Australisë që nga fillimi i vitit të kaluar për shkak të fenomenit La Niña që ka shkaktuar më shumë reshje.