Një ngjarje e rëndë u regjistrua në Tiranë në orët e vona të së mërkurës, kur një i ri ndërroi jetë në ambientet e spitalit të Traumës, pasi ishte shoqëruar më herët në komisariat.
Laer Kurti nuk i ishte përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar e për t’i kontrolluar dokumentet dhe ishte larguar me vrap.
Pas ndjekjes, ai u ndalua në rrugën “Don Bosko” dhe u shoqërua për në Komisariatin Nr. 3.
Gjatë shoqërimit i riu është ndejrë keq dhe gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar papritur. Më pas ai është shoqëruar drejt spitalit të Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.
Nuk dihen ende shkaqet e vdekjes së 32-vjeçarit, ndërsa pritet ekspertiza për të dhënë një përgjigje përfundimtare.
“Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.
Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L. K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë”, njoftoi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. /abcnews.al