Ditën e sotme vijoi gjyqi për Xhuliano Hoxhën dhe Euglen Halilin lidhur me dy vrasje të kryera në vitin 2020 në Elbasan, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

I penduari Euglen Halili përfundoi marrjen në pyetje me dy seanca, duke shpjeguar vrasjet dhe personat përfshirë.

Nga ana tjetër, Xhuliano Hoxha deklaroi sot se nuk dëshiron të merret në pyetje nga prokurori.

Në seancën e radhës do të merret në pyetje Erjon Alibej.

Hoxha dhe Halili akuzohen se janë përfshirë në 2 vrasje të bujshme, atë të Emiljano Ramazanit dhe të Regis Runajt të dyja të ndodhura në Elbasan.

Mbi Hoxhën dhe Halilin rëndojnë akuzat për vrasjen e Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan dhe të vrasjes së Regis Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan.

Në të dy krimet, ata duke bashkëvepruar dhe me të tjerë persona, janë nën hetim për bashkëpunim si “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Për rastin e vrasjes së  Runaj, Hoxha dhe Euglen Halili, dyshohet se masakruan me thikë 23-vjeçarin, në afërsi të varrezave të qytetit, duke e qëlluar 27 herë.

Ata akuzohen se janë të përfshirë dhe në vrasjen e shokut të Runajt, atë të Emiljano Ramazanit.

Financues i vrasjes është Erion Alibej, organizator Nuredin Dumani, ekzekutor Skerdi Tasi dhe ndihmës për ekzekutimin kanë qenë Henrik Hoxhaj, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili.

Nga provat e grumbulluara për këtë vrasje rezulton se të dy këta persona kanë ndjekur dhe kontrolluar lëvizjet e viktimës. Po nga hetimet rezulton se dy të rinjtë, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, këto ngjarje i kanë kryer kundrejt pagesës nga persona të tjerë.

Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani ishin miq të ngushtë me njëri-tjetrin ndërsa u vranë njëri-pas tjetrit brenda 9 ditësh në Elbasan.

“Truri” i dy vrasjeve që tronditën qytetin e Elbasanit, ishte 34-vjeçari Erion Alibej! Uniformat blu bënë arrestimin e tij në 18 shtator të 2020.

/Abcnews.al/