Negociatat për bashkimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 14 majit janë shumë larg dhe ende nuk është arritur marrëveshja mes tyre, madje duket se ato kane dështuar.
Në një reagim për mediat, grupi Parlamentar i PD-së, i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, thekson se te pala tjetër prevaloi interesi i njëanshëm dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit.
Ne reagim thuhet se humbja e kësaj mundësie me kokëfortësi dhe duke injoruar situatën e rëndë që po kalon Partia Demokratike, nuk është në interes të qytetarëve dhe dobëson alternativën e opozitës në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
DEKLARATË E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Më datë 10 Tetor Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në mënyrë unanime shprehu vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar.
Kjo mundësi e sinqertë për bashkëpunim, me qëllim bashkimin e çdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje, në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD, ishte zgjidhja e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale.
Ne shprehim keqardhjen që në kundërshtim me zotimin publik për “bisedime pa kushte”, prevaloi interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, duke minuar në këtë mënyrë bisedimet për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet lokale. Anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike, janë të lodhur nga debati “kush është statuti në fuqi i Partisë Demokratike”. Ato kërkojnë zgjidhje për të unifikuar çdo zë opozitar përballë Edi Ramës në zgjedhje lokale. Humbja e kësaj mundësie me kokëfortësi dhe duke injoruar situatën e rëndë që po kalon Partia Demokratike, nuk është në interes të qytetarëve dhe dobëson alternativën e opozitës në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Refuzimi i vazhdueshëm i çdo propozimi të bërë nga ana jonë, përfshirë propozimin final të paraqitur edhe me shkrim, është tregues i mungesës së sinqeritetit dhe vullnetit për të gjetur zgjidhje. Ky refuzim provon paramendimin për të mos gjetur zgjidhje dhe vënien para faktit të kryer të palës tjetër. Kjo bëhet evidente nga fakti që ndërsa palët ishin në bisedime mes tyre, njëra palë vijonte me akte të njëanashme apo me deklarata publike të disa përfaqësuesve politik që shkonin në frymën e nxitjes së dështimit të bisedimeve mes palëve.
Nisur nga kjo situatë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar të informohet Kryesia e Partisë Demokratike, për ti hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme vendore.