Importet e Tregu i vajit ushqimor u zgjerua në 2020. Sipas të dhënave të INSTAT, importet u rritën 26,4% më shumë se në 2019. Rritja erdhi tërësisht nga importi i vajit të lulediellit të përpunuar dhe ambalazhuar, pasi në Shqipëri nuk ekziston më industria e prodhimit.

Operatorët kryesorë janë kthyer në tregtarë të vajit të importit. Kompanitë pohuan se prej kohësh, në fabrikat e tyre vetëm sa paketohet vaji i përpunuar që vjen nga jashtë. Është më e leverdishme të importojnë vaj të botiluar ose të përpunuar dhe të bëjnë vetëm ambalazhimin. Sipas bilanceve të deklaruara në QKB, të tjera kompani me qarkullime të larta vjetore kanë falimentuar. Vështirësitë janë të shumta edhe për sipërmarrësit që vite më parë investuan për rafineritë e përpunimit të vajit grexho. Në Shqipëri ishin dy ishin kompanitë kryesore që rafinonin vajin e papërpunuar të importit, “Olim” dhe “Fiol”.

Bajram Dine, përfaqësues i kompanisë “Vajra bimore”, që tregton vaj në logon “Fiol”, pohoi për “Monitor” se prej një viti e gjysmë, rafineria e përpunimit të vajit nuk punon. Arsyet pse rafineria është fikur, sipas z. Dine, janë kostot shumë të larta të vënies në punë, ndërsa prodhuesit nuk janë lehtësuar nga shteti prej barrës fiskale.

“Prej më shumë se një viti, kompania jonë merr vaj të rafinuar nga jashtë dhe në fabrikë ambalazhohet në shishe. Kemi marrë më parë vaj grexho (të papërpunuar), por tani nuk importojmë më të tillë, pasi nuk jemi të mbrojtur. Ne kemi investuar miliona euro në fabrikë për rafinimin e vajit ushqimor të lulediellit, por nga shteti nuk ka asnjë lehtësi për prodhuesit. Detyrimet janë të njëjta si për atë që importon që vaj të përpunuar dhe atë që sjell vaj grexho nga një vend i Bashkimit Europian”.

Në vend tashmë nuk funksionon më asnjë rafineri. Vaji merret i gatshëm nga jashtë dhe ambalazhohet nga fabrikat vendase. Burime nga “Olim” thanë se edhe kjo kompani nuk prodhon dhe rafinon më vaj ushqimor të lulediellit. Vaji vjen i përpunuar nga importi dhe ambalazhohet në Shqipëri me logon “Olim”.

Edhe Ilir Linza, aksioner i kompanisë “Erbiron sh.p.k” që ka ekskluzivitetin e importit të vajit të botiluar hungarez “Floriol”, pohoi për “Monitor” se në Shqipëri, asnjë nga kompanitë e tregtimit të vajit nuk e rafinon më këtë produkt. Z. Linza tha se vaji vjen i përpunuar nga importi, pasi operatorët shqiptarë nuk i përballojnë dot kostot e rafinimit.

“Të rafinosh vaj në fabrikë do të thotë që të furnizohesh nga jashtë me vaj grexho ose lëndën e parë që janë farat e lulediellit. Të furnizohesh me vaj grexho dhe ta rafinosh në Shqipëri nuk i leverdis asnjë kompanie shqiptare, pasi jashtë fabrikat janë gjigante dhe kostoja e rafinimit është më e lirë se te ne. Cilësia e vajit të përpunuar në Shqipëri është më e ulët se e atij që importohet.

Prandaj të gjitha kompanitë shqiptare janë kthyer në paketues të vajit të rafinuar që vjen nga jashtë nëpërmjet boteve me sasi 3 mijë deri në 4 mijë tonë. Në fabrikat shqiptare, vaji vetëm sa paketohet në shishe me logon e secilës kompani që e tregton”.

Rafineritë shqiptare transferohen në Maqedoninë e Veriut

Vendet kryesore nga importohet vaji janë: Bullgaria, Hungaria, Serbia dhe Ukraina. Prej 30 vjetësh, kompania “Bomira” importon vaj grexho (të parafinuar) nga Bullgaria, ndërsa përpunimin e bën në rafinerinë e Maqedonisë së Veriut. Vaji importohet i përpunuar nga shteti fqinj dhe më pas paketohet në shishe në fabrikën e “Bomira”-s. Kompania ka filiale të shitjes në qytetet kryesore të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë etj.

Administratori i “Bomira”-s, Ylli Aliaj, thotë se për vajin në Shqipëri ka dy çmime referencë taksimi, për produkte që vijnë nga Europa dhe vendet jo anëtare. Për këtë arsye, prej vitesh ai importon vaj grexho nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian, por e rafinon në Maqedoninë e Veriut. “Nëse vaji i papërpunuar importohet nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian, siç është Bullgaria, vaji që hyn në Shqipëri taksohet më shumë, për shkak të tarifës me BE-në. Fakti që në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë prodhues vaji, por vetëm rafineri përpunimi, tarifa doganore e importit është më e lirë”.

Vështirësitë e ambalazhuesve të vajit

Rënia e prodhimit të farave të lulediellit në 2020 në Europë dhe shtete të tjera rriti në bursë çmimin e vajit të përpunuar, sipas përfaqësuesit të kompanisë “Fiol”. Rritja e çmimit dhe kostot e larta nga TVSH-ja dhe tarifat doganore ndikuan te reduktimi i importeve të kompanisë. Për të përballuar këtë situatë, z. Dine thotë se është e domosdoshme që shteti t’i ndihmojë kompanitë, duke ulur TVSH-në për importin e mallrave ushqimore.

“Çmimi në bursë i vajit të përpunuar ushqimor është rritur 35-40%, pasi korrjet e lulediellit kanë qenë shumë të ulëta. Nga jashtë, vaji aktualisht vjen me çmim 1400 dollarë për ton, duke shtuar edhe 20% koston e TVSH-së, çmimi final është i shtrenjtë. Në këtë rast, shteti duhet të ulë TVSH-në e produkteve të shportës. Konsumi i vajit ushqimor të lulediellit ka pësuar rënie në 2020 krahasuar me 2019. Familjet shqiptare konsumojnë më shumë vaj ulliri apo gjalpë për gatim.

Po ashtu individët janë të prirë të kursejnë, shpenzimet e tyre më shumë janë të fokusuara për kurimin e sëmundjes nga Covid-19. Konsumi ka qenë i lartë para 4 vitesh, ndërsa këtë vit ka pësuar rënie. Edhe për 2021 parashikoj të ketë rënie të konsumit”.

Lulëzon importi i vajit të gatshëm

Për importuesin më të madh të vajit të ambalazhuar nga jashtë, në vitin 2020, importi i vajit u rrit 30% më shumë krahasuar me 2019. Ilir Linza, përfaqësuesi i operatorit shqiptar që importon vajin e gatshëm hungarez “Floriol”, tha se kompania rriti sasinë e importit për shkak të shtimit të konsumit. Sidomos në periudhën e karantinës, në muajt mars-maj, shitjet u rritën 100% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Mendoj se rritja e konsumit erdhi për shkak të vendosjes së karantinës së detyrueshme të popullatës.

Familjet shqiptare shtuan sasinë e gatimeve në shtëpi, dhe për shkak të frikës të virusit shtuan konsumin e ushqimit të shëndetshëm. Mbyllja i detyroi të mos konsumojnë më ushqim të shpejtë që në shumë raste zëvendësonte vaktin kryesor. Në vitin 2021 parashikojmë që konsumi të rritet, duke parë edhe ecurinë pozitive të shitjeve për periudhën janar-shkurt. Një arsye tjetër është edhe cilësia e produktit dhe kërkesa e konsumatorit gjithmonë do të jetë në rritje për vaj luledielli me vlera të larta ushqimore”. Vaji ushqimor i përpunuar vjen i gatshëm nga Hungaria, ku kompania ka ekskluzititetin e importit të vajit të paketuar “Floriol”.

Qasje ndryshe ka për konsumin z. Ylli Aliaj nga kompania “Bomira”. Ai tha se konsumi për vaj ushqimor të lulediellit është i njëjtë si në 2019. Edhe për muajt e parë të 2021, kërkesa ka qenë në të njëjtat nivele. “Prodhimi i vajit jashtë ka shënuar rënie. Çmimet në bursë çdo muaj po shënojnë rritje, gjë që ndikon te masiviteti i tregjeve dhe te rritja e importeve”.

Importet e “Vajra dhe dhjamra kafshore apo vegjetale” nga Rusia u rritën me 80% në 2020-n në krahasim me një vit më parë, sipas të dhënave të INSTAT, duke përbërë 17% të totalit. Në të njëjtën linjë u rritën ndjeshëm importet nga Ukraina (91.4%), Hungaria (33%), Italia (16%).

Rritja e konsumit

Rritja e konsumit erdhi për shkak të vendosjes së karantinës së detyrueshme të popullatës. Familjet shqiptare shtuan sasinë e gatimeve në shtëpi, dhe për shkak të frikës të virusit shtuan konsumin e ushqimit të shëndetshëm. Mbyllja i detyroi të mos konsumojnë më ushqim të shpejtë që në shumë raste zëvendësonte vaktin kryesor.

Pse nuk realizohet cikli i mbyllur i prodhimit?

Kosto e lartë e transportit të farës së lulediellit nga jashtë, mungesa e subvencioneve të fermerëve nga shteti për të prodhuar lëndën e parë, taksat e larta, çmimi i energjisë elektrike konsiderohen faktorët kryesorë që asnjë tregtar vaji nuk mund të rrezikojë të investojë për prodhimin me cikël të mbyllur.

Ylli Aliaj, tregtari i vajit “Bomira”, thotë se si vite më parë në partneritet me një kompani bullgare, projektoi ngritjen e rafinerisë së përpunimit, por për shkak të pengesave të shumta, investimi i parashikuar nuk u zbatua asnjëherë. “Bomira sh.p.k” është një shoqëri e krijuar në vitin 1994 në Berat. Në aktivitetin bazë të saj ka importin e vajit të lulediellit të rafinuar që ambalazhohet në Shqipëri.

“Në të kaluarën, ne hartuam projektin për ndërtimin e rafinerisë përpunuese në bashkëpunim me një kompani bullgare, por projekti u pezullua, për shkak të pengesave ligjore që hasi kompania e huaj në Shqipëri. Asnjë fabrikë në vend nuk bën rafinimin e vajit, e merr të përpunuar dhe e ndan në prodhim apo ambalazhim në shishe. Të gjithë tregtarët në Shqipëri janë paketues të vajit të përpunuar nga jashtë. Edhe nëse do të ngrihej një fabrikë rafinerie nuk do të mbijetonte te ne me kostot e larta që ka përpunimi, nga çmimi i energjisë elektrike, mungesa e lëndës të parë, kostoja shumë e shtrenjtë e transportit. Jashtë nuk gjen dot fara luledielli për t’i transportuar në Shqipëri. Edhe nëse sigurohet luledielli, tarifa e transportit është më e shtrenjtë se çmimi i biletës së avionit”.

Mungesa e lëndës të parë dhe kostot e larta të transportit të farave të lulediellit konsiderohen edhe nga përfaqësuesi i kompanisë “Erbiron”, Ilir Linza, faktorët kryesorë se pse nuk mund të realizohet cikli i mbyllur i prodhimit të vajit ushqimor në vend.

“Shqipëria nuk prodhon dhe vazhdon të mos prodhojë sot luledielli. Sasia e pakët e farave të lulediellit që kultivohen nuk do të mjaftonin të përballonin konsumin e një dite të popullatës. Arsyeja është mungesa e subvencioneve për fermerin, por nga ana tjetër, për kultivimin e lulediellit kërkohen hapësira gjigante tokash. Duhet thënë që kushtet klimatike për kultivimin e lulediellit nuk janë aspak të favorshme. Fabrikat e prodhimit të vajit janë ndërtuar në vendet ku ndodhen fushat e mbjella me luledielli. Në Hungari p.sh., fabrika e prodhimit të vajit është e rrethuar nga të katër anët me plantacione të kultivuara me luledielli.

Klima e Shqipërisë e favorizon shumë prodhimin e ullirit dhe vaji i prodhuar në vend nga ulliri është i mrekullueshëm. Luledielli për Europën prodhohet me shumicë vetëm nga vende si: Serbia, Hungaria, Bullgaria dhe Ukraina, ndërsa Italia dhe Gjermania prodhon sasi të ulët luledielli.

Përveç kësaj, nëse do të importosh nga Hungaria apo Serbia p.sh., një tren me fara luledielli me vlerë 100 mijë euro, transporti do të kushtojë 50 mijë euro. Nuk është e leverdishme të importosh lëndën e parë nga jashtë, për ta përpunuar për të prodhuar vaj”, pohoi z. Linza.

Në vitin 2000, kompania “Olim” përfundoi së ndërtuari fabrikën e prodhimit të vajit në vend, ku parashikonte që prodhimi të ishte i bazuar te cikli i mbyllur. Lënda e parë do të garantohej nga fermeri vendas, pasi shteti do të subvenciononte kultivimin e lulediellit nga fshatari. Investimi prej miliona eurosh ishte edhe më ambicioz. Kompania synonte që edhe bërsitë e lulediellit t’i përpunonte për produkte bujqësore për ushqyerjen e kafshëve nga kompania Agrotek.

Sipas të dhënave që kompania publikoi në ato vite, “Olim” nisi prodhimin e vajit të lulediellit të rafinuar në vitin 2003, të paketuar në shishe 1, 4 dhe 5 litra. Në qershor të vitit 2004, u kalua në një teknologji të vazhduar të rafinimit të vajit “grexho” dhe kapaciteti rafinimit u bë 120 ton/ditë. Në qershor të vitit 2005, kompania u certifikua nga Menaxhimi i Cilësisë ISO 9001:2000 për Sistemin e rafinimit, magazinimit, paketimit dhe shitjen e vajit të lulediellit dhe misrit dhe nga Menaxhimi i Sigurisë së sistemit HACCP të produkteve ushqimore.

Cikli i mbyllur

Kosto e lartë e transportit të farës së lulediellit nga jashtë, mungesa e subvencioneve të fermerëve nga shteti për të prodhuar lëndën e parë, taksat e larta, çmimi i energjisë elektrike konsiderohen faktorët kryesorë që asnjë tregtar vaji nuk mund të rrezikojë të investojë për prodhimin me cikël të mbyllur.

Abuzuesit

Sipërmarrësit e vajit ushqimor ngrenë si shqetësim informalitetin në tregun e shitjes të vajit. Operatorët pranuan se në treg janë konstatuar paketime me forma artizanale të vajit të pambukut. Ky produkt nuk është i rrezikshëm për shëndetin, por nuk ka vlerat ushqimore si vaji i lulediellit. Më tepër vaji i pambukut përdoret për industri, si ajo e prodhimit të biskotave etj.

Por kontrolli mjaftohet vetëm në cilësinë e zhdoganimit të vajit në doganë. Nga institucionet shtetërore nuk kontrollohen më prodhuesit shqiptarë që abuzojnë me vendosjen e etikës së vajit të lulediellit, kur brenda në shishe ndodhet vaj pambuku. Vaji importohet nga Greqia dhe çmimi i shitjes në treg është më i lirë se llojet e tjera të vajrave. “Kjo lloj konkurrence sigurisht që dëmton tregun, pasi këto produkte pavarësisht se janë me cilësi të dobët, shiten me çmime shumë të lira”, pohoi z. Linza nga kompania “Erbiron”

Të ardhurat e kompanive

Nga të dhënat e bilanceve të kompanive kryesore të tregtimit të vajit, të ardhurat e tyre në 2018 u rritën, ndërsa fitimet janë me tkurrje të larta. Në vitin 2018, të ardhurat e kompanisë “Bomira” u rritën 22% krahasuar me 2017. Fitimet ishin me rënie. Edhe për kompaninë “Vajra bimore” është e njëjta situatë. Të ardhurat u rritën 17%, ndërsa fitimet ranë 71%.

Për importuesit e vajit të ambalazhuar “Erbiron”, të ardhurat ranë ndjeshëm në 2018 me rreth 65%, ndërsa fitimet u rritën mbi 70%. Në treg nuk operon më kompania e ambalazhimit të vajit “Crystal” e ngritur në Elbasan. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit thuhet se nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Elbasan, kompanisë i është vënë sekuestro preventive për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve. Vitet e fundit qarkullimi vjetor i kësaj kompanie arrinte deri 540 mln lekë.