Mbledhjen e sotme të Kryesisë, kreu i PD-së Sali Berisha e ka nisur duke folur për projektin e Portit të Durrësit. Berisha theksoi se kryeministri Rama do ta kthejë Durrësin në Dubain e tij dhe në lavatriçe të pastrimit të parave, duke shtuar se me këtë zhurmë kërkon të heqë vëmendjen nga afera e Inceneratorëve.
Berisha: U kurorëzua një ngjarje historike, kthesë e madhe në historinë e opozitarizmit, një betejë e parë e cila natyrisht do ketë një seri betejash të tjera. Përpara kemi një armik, një dëbues të shqiptarëve nga atdheu i tyre. Ngjarja e fundit që u debatua në parlament është e përmasave që tejkalon çdo lloj kodi ligjor, etik, moral. Këta janë vërsulur ndaj pasurive publike të vendit.
Kërkon të kthejë Durrësin në Dubai, dhe në lavatriçen më të madhe të Europës si kanal i narko-eurove. Durrësi bëhet qyteti më i pabanueshëm i botës, tejkalon në dendësi për frymë çdo lagje apo qytet në këtë planet. Nuk ndodh në botë që një aferë si kjo të shqyrtohet, të projektohet apo imagjinohet, por këtu ndodh. Lidhjet janë të kristalta me Beogradin dhe Lukashenkon e Bjellorusisë, kompanitë e tyre të regjistruara në Qipro i shitën në Emiratet e Bashkuara vëllezërit Karriq, pikërisht me këto kompani që merret Rama. Se imagjinoj dot si mund të fshihen popullit 60% të aksionerëve, kjo ndodh vetëm kur qëndron vetë ti pas sipërmarrjes. Rama kërkon të mbulojë me këtë zhurmë aferën e Djegsave, natyrisht do marrë një ndëshkim popullor.