Ai mendoi se kishte gjetur gruan e jetës së tij, por ajo në fakt ishte martuar plot 5 herë të tjera.

Një burrë në Britani mendoi se kishte gjetur dashurinë e jetës së tij, por erdhi dita kur ai zbuloi se gruaja me të cilën ishte, kishte pasur pesë bashkëshortë dhe një të dashur.

Wayne Harper, 43 vjeç, ishte në një lidhje prej 18-muajsh me Emily Horne kur zbuloi se ajo i kishte fshehur gjashtë partnerët e tjerë prej tij.

Si të mos mjaftonte kjo, kur 43-vjeçari i dha fund lidhjes, ish-partnerja e tij u martua me dy meshkuj të tjerë. Kështu ajo arriti gjithsej shtatë martesa.

Wayne Harper dhe Emily Horne u takuan në një spital. Ai ishte shtruar në spital pas një aksidenti me biçikletë, ndërsa ajo po shërohej nga një operacion që i ishte nënshtruar.

Pasi ishin bashkë për më shumë se një vit, ai e akuzoi atë se e tradhtoi dhe kështu i dha fund lidhjes së tyre. 

“U ndava me të sepse mora vesh se po më tradhtonte. Unë isha me të për 18 muaj dhe lidhja jonë nuk pati një fund të lumtur. Nuk kam asgjë prej saj, as foto, asgjë. Unë isha partneri i saj, jo burri i saj, por në atë kohë ajo kishte pesë burra,”  tha ai për The Sun.

Historia me bashkëshortët e Hornit filloi në vitin 1996 kur ajo ishte vetëm 18 vjeç. Ajo u martua për herë të parë. Një vit më vonë ajo u martua përsëri, duke përdorur një emër të rremë. Pasoi një tjetër martesë, ndërsa e katërta erdhi ndërsa ajo ishte ende e fejuar.

Në vitin 2001 policia nisi hetimet pasi u njoftua për bigami . Diçka që nuk e pengoi pasi në vitin 2007 u martua sërish. Ajo i ka rrëfyer burrit të saj të fundit për martesat e tjera. Në vitin 2010, ajo u martua edhe një herë tjetër.

Në vitin 2011 ajo u martua për herë të shtatë në Skoci . Horne, e cila tani ka ndryshuar ligjërisht emrin e saj në Maxine, u dënua në vitin 2012 me 12 muaj shërbim në komunitet.