Sot nisi vaksinimi masiv i qytetarëve në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera të vendit.
Dy çadra të mëdha janë ngritur dhe bërë gati gjatë natës, ku secila ka nga 10 pika vaksinimi për qytetarët. Vaksinimi te sheshi “Skënderbej” ka filluar për moshat mbi 75 vjeç, të cilët janë lajmëruar nga mjeku i familjes.
Në ndihmë të bluzave të bardha janë bashkuar edhe mjekët e Forcave të Armatosura, ndërsa pritet të plotësohet plani ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj.
Të pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, qytetarët janë shprehur se ndihen shumë mirë pas marrjes së vaksinës e nuk kanë shqetësime.
Gazetari: Si ndjeheni?
Qytetarja: Nuk e kam bërë akoma, kur ta bëj do të të them, më njoftoi doktoresha në telefon.
Gazetari: Ndjeheni e kënaqur?
E moshuara: Patjetër që jam e kënaqur se dua të jetoj nuk dua të vdes.
Gazetari: Si ndjeheni?
I moshuari: Shumë faleminderit, jam shumë mire, kam shumë respekt për Top Channel, edhe për juve personalisht.
I moshuari: Nuk kam frikë.
Gazetari: Faleminderit.
Si realizohen procedurat e vaksinimit:
Pasi qytetari njoftohet nga mjeku i familjes, drejtohet në sheshin “Skënderbej” për t’u regjistruar. Pasi kryhet regjistrimi dhe jepen të dhënat nëse kanë alergji apo shqetësime, vijohet me vaksinimin tek mjeku përkatës sipas radhës.
Top Channel