Qeveria shqiptare është përballur në vijimësi me kritika të shumta, sidomos në lidhje me rrugën që ndoqi për të kapërcyer vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga pandemia, në kurriz të shëndetit; për favorizim të operatorëve ekonomikë të përzgjedhur, kryesisht me anë të mekanizmit të koncesioneve në dëm të pjesës tjetër të popullsisë dhe biznesit; për fenomenet e korrupsionit apo të emigrimit, rritjen e borxhit publik, kullëzimin dhe betonizimin e mjedisit publik; dobësimin e institucioneve të pavarura, sidomos atyre rregullatore që kanë për detyrë të mbrojnë lirinë ekonomike dhe konkurrencën; mungesën e transparencës dhe dobësinë në llogaridhënie, e evidentuar qartazi në rastin më të fundit nga KLSh në programin e rindërtimit, etj.

Për të zbehur pasojat e këtyre kritikave, në funksion të synimit të vetëm të rëndësishëm, rimarrjes së pushtetit në zgjedhjet e 25 prillit në vitin 2021, Qeveria përgatiti dhe vuri në zbatim një paketë fiskale, e cila ofronte disa lehtësi, gjithsesi jo të qenësishme, për grupet e ndryshme shoqërore dhe biznesore të vendit.

Por ndërkohë, megjithëse vendi përballet me fenomene të papunësisë, investimeve të tkurrura, largimit të kapitalit të huaj, veçanërisht atij perëndimor, papunësisë, rritjes së nivelit të varfërisë dhe hemorragjisë prej emigrimit të popullsisë, administrimi i parasë dhe aseteve publike vijoi të jetë njësoj i shkujdesur dhe abuzues, si edhe më parë.

Programi i qeverisë së re, të formuar në shtator 2021, tregoi qartazi se qeveria shqiptare nuk ka ndër mend ta ndryshojë këtë qasje. Pra mbetet e patundur në krijim kostosh nga keqadministrimi dhe sigurisht, shkarkimi i tyre në kurriz të popullsisë dhe ekonomisë është çështje kohe. Madje ky proces ka filluar, dhe formën më të dukshme e ka marrë me rritjen e varfërisë dhe rigjallërimin e emigrimit. Të dhënat e fundit tregojnë se kërkesat për azil në gusht i arritën nivelet e parapandemisë.

Ndërsa me prezantimin në Kuvend të buxhetit dhe paketës fiskale të vitit 2022, po vjen radha që barra t’i kalojë pasurisë dhe biznesit, por që vë në pikëpyetje shtegun të cilin do të marrë liria ekonomike.

Në diskutimin në paketën fiskale 2022 u përmbys pothuaj çdo hapësirë çlirimi nga barra fiskale me argumentin se, e ka rekomanduar FMN. Askush nuk dha llogari që një program i tillë, i diskutuar prej të paktën tre vitesh, hidhej në miratim në mënyrë surprizë, duke shkaktuar deri protesta nga disa industri. Tani ka filluar të artikulohet zëshëm nevoja e taksimit të kapitalit apo e pasurisë neto.

Fryma e emërtuar në anglisht “tax the rich” (takso të pasurit) në disa vende perëndimore të zhvilluara, e përforcuar nga nevoja për të përballuar kostot që shkaktoi mbështetja reale dhe e qenësishme, që ofruan qeveritë përkatëse për ekonomitë e vendeve të tyre (ndryshe nga qeveria shqiptare), po përdoret në rastin e Shqipërisë si pretekst për të ndërhyrë drejtpërdrejt në lirinë e biznesit; në përqendrimin e aktivitetit ekonomik, dhe në konturimin de facto të një ekonomie shtetërore.

Ajo çka aktualisht ka filluar të propagandohet si taksim pasurie dhe po artikulohet në opinion me termin e bukur “socializëm i ri ekonomik”, në kontekstin e sotëm nuk është gjë tjetër veçse një rikthim i rrezikshëm në ekonominë, me planifikim të centralizuar me koracë kapitalizmi.

Ajo çfarë po gatuhet nën maskën e taksimit të pasurisë, nuk përqaset aspak me nevojën për të vendosur taksa e tatime, në funksion të një rishpërndarjeje të ekuilibruar burimesh e të ardhurash dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë. Përkundrazi, socializmi ekonomik përmban disa rreziqe të qenësishme për ekonominë shqiptare dhe më gjerë, për vetë demokracinë dhe lirinë.

Me socializmin ekonomik i hapet rruga ekonomisë shtetërore. Në një vend që ende nuk ka arritur të shpërbëjë plotësisht sistemin e ekonomisë së centralizuar dhe të vendosë baza të qëndrueshme në ekonominë private, kërkohet të bëhen hapa pas.

Përvoja e pas 1944-s, por edhe ajo pas 1990-s, në kontekstin e ekonomisë shqiptare, qartësisht kanë treguar se ekonomia shtetërore ka qenë një ndërhyrje e dëmshme për eficiencën dhe efektivitetin ekonomik, me pasojën më të dukshme varfërinë e tejzgjatur dhe të përhapur.

Ekonomia shtetërore ka prodhuar në vijimësi dhe ka mbështetur korrupsionin, mungesën e zbatimit të ligjit dhe të rregullit, mungesën e veprimit mbi baza neutrale të institucioneve rregullatore. Kjo ekonomi ka prodhuar administratë të paaftë dhe joefikase. Askush nuk mund të thotë se administrata, institucionet, gjykatat etj., janë shndërruar në shenjtorët që do të mbështesin përparimin e ekonomisë shtetërore për të eliminuar pabarazinë sistemike apo për të siguruar gjithëpërfshirje.

Përkundrazi, janë këto fenomene të përforcuara edhe nga pesha e konsiderueshme e shtetit në jetën ekonomike dhe shoqërore, që kanë penguar zhvillimin e ekonomisë së lirë të tregut, duke e kuptuar që iniciativa private dhe përdorimi eficient i burimeve që imponon tregu, u pakëson pushtetin dhe arrogancën. Siç duket, edhe kaq pushtet “i dorëzuar” pas ‘90-s në duar të tregut, ka filluar të konsiderohet problematik, për një politikë që synon të vendosë diktatin e saj.

Ekonomia shtetërore dhe taksimi i pasurive të akumuluara në situata kur në fuqi kanë vepruar të tjera rregulla është goditje e drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë e mjedisit ekonomik, për klimën e biznesit dhe një tjetër faktor që shkakton pengesë për thithjen e kapitalit të huaj e gjenerimin e investimeve private vendase, pa lejen e partisë.

Ajo çfarë po gatuhet nën maskën e taksimit të pasurisë, nuk përqaset aspak me nevojën për të vendosur taksa e tatime në funksion të një rishpërndarjeje të ekuilibruar burimesh e të ardhurash dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë. Përkundrazi, socializmi ekonomik përmban disa rreziqe të qenësishme për ekonominë shqiptare dhe më gjerë, për vetë demokracinë dhe lirinë.

Ekonomia shtetërore, në një vend me ekonomi të shpallur tregu, por ku për paradoks shteti ende mbetet punëdhënësi kryesor, dhe me demokraci ende të brishtë, nënkupton përqendrim të pushtetit ekonomik dhe konsolidim të pushtetit politik, fenomene që ndërtojnë regjim autokratik, që në rastin e Shqipërisë nuk është e vështirë të shndërrohet në regjim diktature.

Për të gjithë naivët apo zhvlerësuesit e këtij shqetësimi me argumentin se kjo nuk ndodh se jemi vend i NATO-së që aspirojmë për në BE, mjafton të kujtojmë që ka edhe vende të tjera me të tilla anëtarësi, të cilat sot janë autokraci, pavarësisht se kanë tradita demokracie shumë më të gjata e të zhvilluara se Shqipëria.

Propozimi për socializmin ekonomik në vetvete shpreh një problem dhe një rrezik të madh. Ky propozim zbulon problemin e shkaktuar nga keqpërdorimi i aseteve dhe parasë publike, gjë që ka kufizuar mundësitë për të siguruar të ardhura për buxhetin dhe duket se instrumenti kryesor do të jetë represioni fiskal mbi çdo shtresë.

Ky propozim na ekspozon ndaj një rreziku kryesor, atij të centralizimit të burimeve ekonomike, minimit de facto të çdo grupi biznesi, pavarësisht nga madhësia e tij, i cili kërkon të zhvillohet i pavarur nga privilegji dhe nënshtrimi qeveritar, me pasojë kufizimin e lirisë individuale dhe demokracisë.

Shqipëria e ka vuajtur socializmin e zbatuar me instrumentet e “tatimit të jashtëzakonshëm” dhe të “akumulimit të çdo mbivlere” e që prodhoi barazi në varfëri të tejskajshme. Nuk ka asnjë element që të bind se socializmi i ri ekonomik do të arrijë të eliminojë varfërinë sistemike vetëm sepse krijohet ekonomi shtetërore. Përkundrazi, historia jonë na tregon që më tepër gjasa ka që ky socializëm i ri të prodhojë një varfëri edhe më perverse. Ky restaurim socializmi duhet frenuar. Këtu ka nevojë të përqendrohen energjitë e çdo elementi opozitar.

Me socializmin ekonomik i hapet rruga ekonomisë shtetërore. Në një vend që ende nuk ka arritur të shpërbëjë plotësisht sistemin e ekonomisë së centralizuar dhe të vendosë baza të qëndrueshme në ekonominë private, kërkohet të bëhen hapa pas.

Marrë nga Monitor.al

Për t’ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebo