Kryeministri i ri i Malit të Zi është zgjedhur shqiptari Dritan Abazoviç, i cili është Kryeministri i parë shqiptar në Podgoricë.

Qeveria e re pritet të përbëhet nga Lëviza Qytetare URA, të cilën e udhëheq Abazoviç, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Social-Demokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Për herë të parë në histori, në Ballkan, i cili përbëhet nga 6 shtete, tre kryeministra janë shqiptarë. Kabineti i ri pritet të ketë në përbërje 18 ministri dhe katër zëvendëskryeministra.

Ndërkaq, në Cetinje është votuar edhe për kryetarin e Kuvendit, ku është zgjedhur deputetja Danijela Gjuroviç. Për zgjedhjen e Gjuroviç votuan 45 deputetë, ndërsa tre ishin kundër. Qeveria e re është zgjedhur gati tre muaj pasi Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kryeministrit Zdravko Krivokapiç.

Qeveria e Krivokapiçit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion midis Frontit Demokratik (pro serb), Demokratëve dhe Lëvizjes URA. Qeveria e pakicës përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviçit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Kabineti ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.

Abazoviçi ka mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi. Ai, po ashtu, ka mbështetjen parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Presidentit malazez, Millo Gjukanoviç, por pa pjesëmarrjen e saj. Katër pozitat e zëvendëskryeministrave u janë ndarë partive që përbëjnë qeverinë e re. URA e Abazoviçit udhëheq pesë ministri, përfshirë edhe atë të Punëve të Brendshme, me në krye Filip Axhiqin.

Ministria e Çështjeve Europiane udhëhiqet nga Jovana Maroviç, e cila është zgjedhur edhe zëvendëskryeministre nga radhët e URA-s. Partia Popullore Socialiste, përveç postit të zëvendëskryeministrit, i cili mbulohet nga kreu i partisë, Vlladimir Jokoviç, udhëheq gjashtë ministri. Jokoviç do të jetë edhe ministër i Bujqësisë. Partia e tij ka marrë edhe udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë dhe të Sportit.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviç, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Nga kjo parti, Ministrinë e Punëve të Jashtme e udhëheq Ranko Krivokapiç, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi. Kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviç, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Investimeve Kapitale. Kjo parti udhëheq edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me në krye Admir Adroviçin. Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, kanë marrë dy poste ministrore. Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, ndërsa ministër i Administratës Publike është Marash Dukaj nga Alternativa Shqiptare.