Kontrolli i Lartë i Shteti ka paditur në SPAK 5 funskionarë të ministrisë së brendshme, të cilër akuzohen për cënimin e barazisë në tendera, sa i takon projektimit dhe ndërtimit të disa godinave të komisariateve.
Sipas KLSH në bazë të një auditimi që është kryer, është vënë re një rritje e paarsyetuar e kostove për projektimin dhe ndërtimin e disa godinave ku përfshihen Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë.
Emrat e zyrtarëve që janë çuar në SPAK nuk bëhen ende të ditur, ndërkohë që kjo është goditja e dytë në ministrinë e brendshme, pas urdhërarresteve për tenderin e uniformave. Mbetet për tu parë nëse SPAK do të nisë menjëherë hetimet pas konstatimeve nga KLSH.
Njoftimi i plotë:
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ushtroi auditim financiar dhe përputhshmërie në Ministrinë e Brendshme, duke i kushtuar vëmendje të posaçme çështjeve që lidhen me aktivitetin ekonomiko-financiar të saj për vitet 2018, 2019 dhe 2020.
Nga procesi i auditimit kanë rezultuar mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”, ku përfshihen Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje me këto shkelje ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzim penal ndaj 5 funksionarëve të Ministrisë së Brendshme, përgjegjës për vlerësimin e ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit” për veprën penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Fax