Detyrimet e prapambetura të qeverisë vitet e fundit po krijohen më së shumti nga prokurimi i punëve dhe shërbimeve publike me kosto shumë më të larta se parashikimet fillestare. Kjo procedurë përveçse bëhet në thyerje të ligjeve dhe udhëzimeve për menaxhimin e buxhetit të shtetit, po bëhet shkak për krijimin e detyrimeve të prapambetura.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në auditin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor mbi zbatimin e buxhetit 2019 -2020 gjeti së paku 2 milionë euro tenderime mbi fondet e parashikuara në buxhet në vetëm tre tendera.

Në projektbuxhetin e vitit 2019 FSDKSH përllogariti shpenzime në vlerën e 50 milionë lekëve për “Zhvillimin e Software për raportimin online të depove farmaceutike”. Por tenderin për këtë shërbim e kreu AKSHI ( Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së informacionit), e cila e prokuroi këtë shërbim për 127 milionë lekë ose 155 % më shumë se vlera e parashikuar në buxhetin e Fondit.

Ekspertët e KLSH-së kanë vërejtur se plani i buxhetit nga FDSKSH ishte bërë vetëm për vlerën e investimit, ndërsa AKSHI ka kontraktuar edhe mirëmbajtjen, ndërkohë që FDSKSH-ja nuk i kishte fonde të miratuara në dizpozicion.

Kontrata në shumën 127.6 milion lekë me TVSH (nga e cila 35.28 milion lekë mirëmbajtja 4 vjeçare dhe pjesa tjetër prej 92.2 milion lekë vlera e investimit) ndërmjet AKSHI. Përveçse AKSH-i bëri prokurimin e mirëmbajtjes edhe pse Fondi nuk e kishte parashikuar e rriti me gati dyfish vlerën e investimit, nga 50 milionë lekë në 92 milionë lekë).