Një gjykatë gjermane ka urdhëruar që një prift katolik të mbahet në ndalim të përkohshëm gjatë gjykimit për akuzat se ka abuzuar fëmijë, duke marrë vendim se ka rrezik që ai të kryejë sulme të reja.

Vendimi i gjykatës së qarkut në Këln, i marrë të enjten, erdhi në ditën e njëjtë të premtimit të një kardinali katolik për të mësuar nga një raport ku jepen hollësi për qindra raste të abuzimit seksual në 75 vitet e kaluara në dioqezën e tij.

Në seancat e gjykatës për rastin e fundit, të cilat po zhvillohen nga nëntori i vitit të kaluar, dolën në shesh viktima të mundshme shtesë, njëra nga të cilat raportoi se është abuzuar në vitin 2019, tha gjykata në Këln.

Autoritetet e identifikuan priftin si Hans Ue., duke mos ia publikuar mbiemrin e plotë, siç është e zakonshme gjatë shqyrtimit të rasteve në gjykatat gjermane, shkruan Reuters.

“Për shkak të numrit të madh të sulmeve të mundshme, disa prej të cilave mund gjithashtu mund të kenë ndodhur në të kaluarën e vonshme, gjykata vlerësoi se ka rrezik për përsëritje të shkeljes”, thuhet në deklaratën e gjykatës.