Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shtyn prej disa javësh ndëshkimin e partive të cilat abuzuan me fondet gjatë fushatës së 25 prillit.

Sipas raportit të KQZ-së, të gjitha subjektet kanë shkelur ligjin dhe duhet të gjobiten sipas Kodit Zgjedhorit. E vetmja parti që është gjetur korrekte për shpenzimet elektorale është LSI-ja.

Raporti i KQZ-së evidenton Partinë Socialiste si subjektin që duhet të marrë gjobën më të madhe, plot 50 milionë lekë të vjetër.

Kjo, pasi siç thuhet në dokument “Partia Socialiste e Shqipërisë” ka tejkaluar kufirin maksimal të shpenzimeve për fushatën zgjedhore. Shuma e lejuar e shpenzimeve nuk duhet të jetë më shumë se 3 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore. Sipas llogarive, PS e ka tejkaluar kufirin me 45 milionë lekë të vjetër.

Sipas Kodit Zgjedhor një shkelje e tillë dënohet me gjobë në vlerën 50 mln lekë të vjetër.

Kryekomisioneri thotë për ABC se nuk do të zvarritet ky proces. Shkelje ka edhe partia e dytë më e madhe: “Partia Demokratike”. Ajo nuk ka dorëzuar raportet për 69 kandidatë të listave shumemërore. Për këtë shkelje, Celibashi pritet të gjobisë PD-në në një marzh mes 5-10 mln lekëve të vjetër sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor./abcnews.al/