Ditën e premte detektivët dixhitalë në BuzzFeed arritën të identifikonin adresën sekrete në aplikacionin Venmo të presidentit të SHBA, Joe Biden në vetëm 10 minuta kërkim, dhe bashkë me të zbuluan dhe rrjetin e tij të të afërmve dhe miqve. Lehtësia me të cilën këta persona arritën të zbulonin informacione rreth një prej njerëzve më të fuqishëm në botë tregon problemet e privatësisë që ky aplikacion ka.

Pasi Shtëpia e Bardhë u pyet rreth këtij fenomeni, të gjitha kontaktet në adresën Venmo të presidentit u fshinë menjëherë. Aktivistët e privatësisë prej kohësh kanë shprehur një shqetësim rreth ruajtjes së informacionit në këtë aplikacion, pasi të gjitha transaksionet janë publike dhe nuk ka asnjë mënyrë për të mbajtur private listën e miqve.

“Dështimi në ofrimin e privatësisë në Venmo është një problem i madh për përdoruesit e përditshëm të këtij aplikacioni. Të gjitha këto probleme shumëfishohen kur bëhet fjalë për një figurë publike madhore.” u shpreh aktivistja Gennie Gebhart.

Teknologjitë e reja kanë qenë shpesh herë një “dhimbje koke” për personat që duhet të mbrojnë politikanët nga probleme të tilla. Madje mësohet se kohë më parë adresa e Donald Trump në Twitter u vodh pasi një person gjeti rastësisht password-in e tij.