Zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj është paraqitur mbrëmjen e sotme në Komisionin Hetimor për inceneratorët, për t’u përgjigjur lidhur me aktet që ka firmosur gjatë kohës kur ishte ministër i Financave.

Pyetja e parë që është bërë ndaj tij ka qenë nëse Ahmetaj kishte njohja personale me shtetasin Klodian Zoto, për të cilin zëvendës kryeministri tha se e njihte në distancë dhe se nuk kishte lidhje familjare me të.

Ndërsa pasi u pyet nëse kishte udhëtuar ndonjëherë me Zoton, Ahmetaj tha se këto ishin pyetje që lidheshin me jetën private.

Pyetje: A e njihni personalisht, a jeni takuar me shtetasin Klodian Zoto?

Ahmetaj: Në fakt unë duhet të pyetem kë nuk njoh. Jo kë njoh, sepse kam takuar më shumë se 90% të biznesmenëve në këtë vend. Zoton e kam njohur në distancë. Nuk kam lidhje gjaku apo familjare me të.

Pyetje: Keni udhëtuar ndonjëherë me këtë person?

Ahmetaj: Unë kam një jetë që kam udhëtuar brenda dhe jashtë vendit, me shumë miq. Nëse ju doni të shuani kuriozitetin e jetës time private…

Tabaku: Zoti Ahmetaj, ju lutem përgjigjuni po ose jo, mos u zgjasni më kot.

Më herët gjatë ditës së sotme, janë paraqitur në Komisionin Hetimor për të dhënë përgjigjie, kryebashkiakja e Durrësit, Emrijana Sako, ish ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, ministra e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi dhe së fundmi zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj.