Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar ditën e sotme lidhur me zhvillimet më të fundit në komisionin Hetimor për Inceneratorët, ku tha se rrjedha e marrë në debate po i ngjante asaj të 17 Majit ku Basha dhe Rama arritën një marrëveshje. 

Në postimin e bërë, Kryemadhi bëri thirrje që SPAK të vepronte për të zbardhur çështjen e inceneratorëve.

Postimi i Plotë nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi:

Besoj e mbani mend 17 Majin kur Basha braktisi demokratët në çadër për të bashkëqeverisur me Ramën.
Zhvillimet në komisionin hetimor parlamentar po duken fiks si një vazhdim i kësaj lidhjeje të veçantë e të fshehtë. 
Zbardhja e së vërtetës për inceneratorët nuk duhet të dështojë, siç dështoi mbrojtja e Teatrit Kombëtar. Loja politike mes qeverisë dhe kunat-opozitës nuk duhet lejuar të deformojë drejtësinë e re! 

Inkurajoj SPAK të veprojë mbi faktet pa humbur kohë! Këtu ndahet historia, duke treguar nëse jemi duke ndërtuar një shtet të së drejtës evropiane, apo drejt instalimit final të kapjes së shtetit, drejtësisë, opozitës.