Ajas Sulejmani, 39 vjeçari që shkaktoi aksidentin te “Rruga e Kavajës mesditën e djeshme, ka pasur në makinë dhe vajzën e tij të vogël. Mësohet se menjëherë pas ngjarjes ai shkoi drejt një spitali privat, pikërisht për të çuar vajzën e tij.

I tronditur nga aksidenti që kishte shkaktuar, Ajas Sulejmani ka dalë nga Mercedesi i tij me duart në kokë dhe ka parë gjithë skenën për disa momente. Menjëherë është rikthyer në makinë pasi ka dëgjuar vajzën e tij të vogël duke qarë.

ka marrë në krah dhe është larguar përmes rrugicave të pallateve në zonën e njohur si “Pallatet e Delijorgjit”. 39 vjeçari ka marrë dhe diçka tjetër në kroskotin e Mercedesit G Class, por nuk ka asnjë informacion se çfarë ishte.

Dy orë më vonë Ajas Sulejmani u arrestua nga shërbimet e Policisë së Tiranës në një spital privat, në afërsi të Kthesës së Kamzës. Ai nuk kishte shkuar atje për t’u mjekuar vetë sepse siç u pa dhe pas prangosjes, ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishte asnjë lëndim.

Sulejmani ishte frikësuar për vajzën mos ajo ishte lënduar, pasi kishte përplasur kokën në sedilje dhe kishte nisur të qante. Një person i afërt ka shkuar pranë vendit ku ndodhi aksidenti, dhe me një automjet tip Mercedes Benz ML i ka dërguar me shpejtësi në spitalin privat.

Menjëherë pas shoqërimit në Komisariatin nr.2, Ajas Sulejmani ju nënshtrua testit të drogës dhe në prani të efektivëve rezultoi se ai ishte përdorues, dhe para aksidentit kishte konsumuar lëndë narkotike.