I vdes babai në aksident rrugor, djali kërkon drejtësi. Ekspertët e kanë nxjerrë fajtor viktimën duke hedhur dyshime mbi pikën e goditjes. Sipas Kryetarit të Shoqatës së të Aksidentuarëve, të tre ekspertët nuk janë të fushës dhe kanë nxjerrë përfundime që nuk përkojnë me realitetin. Viktima ka qenë jashtë autostradës kur është goditur nga automjeti me 95 km në orë. Ndërsa njëri nga ekspertët nuk përgjigjet nëse ka qenë apo jo në vendin e ngjarjes dhe i thotë djalit të viktimës, “Shko tek Turi ( Artur Sulçe ekspert) që të kundërshtoj aktin dhe ta zgjidhësh.”

Më datë 18.07.2020, në autostradën Durrës-Lushnjë, pranë nën kalimit të fshatit Dushk, ka ndodhur një aksident me pasojë vdekjen e shtetasit Lulzim Sharka. Ai po kthehej nga toka me biçikletë, e po ecte në anë të rrugës inter-urbane, në momentin që u përplas nga një automjet duke gjetur kështu vdekjen e menjëhershme. Edhe akti i parë i ekspertizës, edhe i dyti kanë nxjerrë fajtor viktimën duke e vendosur atë 70 cm brenda autostradës, duke ecur me biçikletë në sens të kundërt të lëvizjes. Por djali i tij, këmbëngul që këto akte ekspertimi janë bërë pa kqyrur mirë pamjet filmike dhe pa qenë prezent pala e dëmtuar ashtu siç ishte lajmëruar më parë nga prokurori.

Në një intervistë për Fiksin djali i viktimës, Erion Sharka thotë që sipas aktit të ekspertizës është babai i tij fajtori, kur babai ka qenë jashte autostradës në momentin e përplasjes dhe jo brenda saj siç del ne ekspertizë. “Ne u munduam edhe në gjykatë, por ishte e pamundur sepse akti e nxjerr fajtor. Unë dua drejtësi pasi babai nuk ka qenë në rrugë, por jashtë saj, ashtu siç kalojnë të gjithë fshatarët në këtë zonë pasi nuk ka rrugë dytësore.” Ai shpjegon se në videon që disponon edhe prokuroria Lushnjë, edhe pse nuk është shumë e qartë për shkak të dritës së diellit që reflekton sërish arrin të shquhet viktima i cili ka qenë duke ecur jashtë rrugës. Pas goditjes është hedhur rreth 20 m larg, dhe ekspertët e kanë vendosur atë brenda autostradës me 70 cm.

Djali u përball edhe me njërin nga tre ekspertët i cili thotë se kush do të ishte në vend të shoferit nuk do të kishte mundur të shmangte dot aksidentin. Ndër të tjera ai i thotë se meqë dolën miq me Turin (Artur Sulçen) atëherë i sugjeron që Turi të kundërshtojë aktin e tij. “Të flasë avokati me Turin, ta kundërshtojë dhe e zgjidh”- shprehet eksperti Ing. Alfred Hasanaj në fund të bisedës.
Fiks Fare intervistoi Ing. Gëzim Hoxhën, Kreu i Shoqatës së të Aksidentuarëve, i cili thotë që pasi ka kqyrur aktin e ekspertizës dhe videon ka dalë në përfundimin se faji nuk është i viktimës.

“Të tre ekspertët nuk janë të fushës dhe kanë nxjerrë përfundime që nuk përkojnë me realitetin. Viktima ka qenë jashtë autostradës kur është goditur nga automjeti me 95 km në orë. Jo brenda saj. Është një krim që po bëhet nga prokurorët dhe gjykatësit që pranojnë inxhinierë për makineritë, gazrat apo tubacionet që të bëjnë ekspertiza aksidenti, siç ka ndodhur edhe në rastin konkret. Të gjithë mund të jenë inxhinierë mekaninë, por jo të specializuar për automjete dhe automobilistikë. Është një degë krejtesisht e veçantë dhe ne e kemi ngritur zërin por askush nuk do të dëgjojë, ndaj jemi para këtyre ekspertizave| shprehet Ing.Hoxha.

Për këtë ngjarje prokuroria ka sekuestruar dy pamje filmike. Në kënde të ndryshme. Në pamjen e parë shfaqet pak sekonda para goditjes, viktima i cili është duke ecur me biçikletë në buzë të autostradës, por kurrësesi 70 cm brenda saj.

Në pamjen e dytë, shfaqet automjeti i cili sipas ekspertëve ka qenë brenda në rrugë në momentin e goditjes, ka goditur viktimën me anën e majtë të makinës. Kjo gjë duket edhe nga feneri i thyer. Momenti i goditjes nuk është fiksur me kamera, por pluhuri që ngre makina në momentin e përplasjes është shumë i qartë. A do të ngrihej pluhur nëse ky automjet do të ishte në rrugë? Këtu hidhen dyshimet e para që automjeti para goditjes mund të ketë humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë dhe ka dalë jashtë rruge.
Fiksi me anë të një skice u mundua të rikrijonte momentin e goditjes të mundshëm të supozuar nga ekspertët. Duke e vendosur viktimën 70 cm brenda në rrugë, atëherë edhe automjeti në momentin e goditjes ka qenë jo plotësisht brenda rrugës, pasi viktima është goditur me krahun e majtë të mjetit.

Ndëkohë familjarët e viktimës pretendojnë të kundërtën. Sipas pamjeve që ata disponojnë, pika e goditjes pretendohet se ka qenë në krahun e majtë të mjetit, ndërsa viktima vërtet ka qenë duke ecur në krahun kundërt, por jashtë autostradës, ashtu siç edhe shfaqet pak sekonda para se të ndodhë aksidenti.

Më 29 Janar Gjykata Lushnjë, pranoi kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes penale kundër shoferit që shkaktoi aksidentin, pasi sipas ekspertizës autoteknike, u ngarkua me faj viktima për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Por ky vendim u apelua në Gjykatën e Apelit Vlorë e cila hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Lushnjë dhe ndër të tjera vendosi thellimin e hetimeve dhe ripërcaktimin edhe njëherë të pikës së goditjes. E cila siç paraqitet në pamjet filmike, dhe në të dyja aktet e ekspertizës lë vend për dyshime.

Top Channel