Dogana e Kosovës ka njoftuar se së bashku me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar sot një aksion në tri lokacione në veri të vendit.

Sipas njoftimit, operacioni ka pasur për qëllim kontrollin e bizneseve për shmangie nga tatimi dhe për veprimtari ilegale të kontrabandimit të mallrave. Siç njofton Dogana ky operacion ka vijuar pas asnjë incident. Nuk raportohet për të arrestuar.

Njoftimi i plotë:

Prishtinë 25 dhjetor 2021 oficerët doganor të asistuar nga Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit kanë realizuar kontrolle në tri lokacione në Veri të vendit.

Ky operacion ka filluar në orët e para të mëngjesit ku qëllimi ishte të kontrollohen bizneset të cilat operojnë në rajonin e Zubin Potokut, respektivisht dy lokacione në fshatin Zupce dhe një tjetër në fshatin Uglar.

Operacioni ka pasur qëllim kontrollin e bizneseve pë shmangje të tatimit si dhe veprimtari ilegale të kontrabandimit të mallrave. Operacioni ka rrjedhur pa asnjë incident.

Dogana e Kosovë në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj , me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se ka dyshime se ka pasur rrjedhje të informacioneve për aksionin që ka zhvilluar sot Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën në veri të vendit, shkruan Gazeta Express.

Sveçla ka thënë se në një nga lokacionet që është kontrolluar është vërejtur infrastruktura por se kanë munguar pajisjet me të cilat është zhvilluar aktiviteti i jashtëligjshëm i kriptovalutave.

Sot Policia e Kosovës në mbështetje të veprimarisë së Doganës së Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Komunën e Zubin Potokut me ç’rast janë kontrolluar tri lokacione/ hapësira të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave. Aksioni ka përfunduar pa incidente. Në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura por mungonin paisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare”, ka shkruar Sveçla në një postim në “Facebook”. Ai konfirmoi se në këtë aksion nuk ka pasur incidente.