Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj do të gjykohet nga Gjykata e Posaçme për veprën penale ““Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

SPAK ka mbyllur hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë dhe ka aaritur në përfundimin se Qerimaj ka kryer veprën penale në fjalë.

Ishte Partia Demokratike ajo që denoncoi Qerimajn për fshehje të një dënimi 3 vjeçar në Greqi. KQZ nuk pranoi t’i hiqte mandatin Qerimajt, por PD nuk u dorëzua dhe e paditi në SPAK.

Ne gusht te ketij viti, Partia Demokratike kërkonte nga SPAK që të fillojë procedimin penal ndaj shtetasit Qerim Ismail Ismailaj për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe të marrë ndaj tij masën e ndalimin “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Ditën e sotme SPAK njoftoi se Qerimaj ka kryer veprën penale për të cilën po hetohej dhe e përcolli për gjykim dosjen në GJKKO.

NJOFTIM

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, më datë 07.09.2021, ka regjistruar procedimin penal me Nr.236/2021, në ngarkim të shtetasit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet.

Sot me datë 01.11.2021 nga Prokuroria e Posaçme është dërguar kërkesa për gjykimin e çështjes pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të të pandehurit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal.

Kryetari i Bashkise Mallakaster rezulton i denuar me 3 vite burg ne Greqi per nje ngjarje te vitit 1999, ku ai mori pjese ne nje perleshje. Gjithsesi, Ismailaj nuk e ka deklaruar denimin ne formularin e dekriminalizimit gje te cilen e denoncoi Sekretari i Pergjithshem i PD-se, Gazment Bardhi. Pas denoncimeve të PD me të shkuar kriminale ka rezultuar edhe kandidati për bashkinë e Shkodër, Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku i bashkisë së Vorës.

(E.H/Faxweb.al)