Tre ditë pas sanksioneve të shpallura nga Departamenti i Thesarit, zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste presin mbledhjen e grupit parlamentar për të pasur një qëndrim lidhur me dy deputetët e tyre të mbështetur nga Rakipi.

Partia Socialiste vijon të mos ketë një qëndrim politik për dy deputetët e saj të ‘mbështetur’ nga Aqif Rakipi, ish-deputeti i sanksionuar tre ditë më parë nga Departamenti amerikan i Thesarit. Por kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla paralajmëroi se PS do të dalë me qëndrim politik të martën e ardhshme.

“Do të kemi një mbledhje grupi të martën, duroni deri atëherë për një qëndrim politik,” tha Balla të enjten për BIRN.

Ai mohoi gjithashtu se Partia Socialiste po përdor dy standarde lidhur me sanksionet amerikane, pas furtunës politike që shkaktoi shpallja “non grata” e ish- kryeministrit Sali Berisha në kampin kundërshtar.

“Do të ketë vetëm një standard në qëndrimet e PS-së,” shtoi ai.

Departamenti amerikan i Thesarit shpalli sanksione financiare për Rakipin të hënën, duke e përshkruar atë si një “ish-deputet famëkeq nga Elbasani me ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”. Sipas vendimit, Rakipi ka qenë prej kohësh ‘pjesë e krimit të organizuar dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë”.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të prillit 2021, i biri, Ornaldo Rakipi dhe dhëndri i vëllait të tij, Saimir Hasalla u zgjodhën deputetë me mbështetjen publike të Rakipit, duke mbledhur së bashku mbi 27 mijë vota për Partinë Socialiste.

Përfaqësuesit e lartë të Partisë Socialiste duket gjithashtu se po presin mbledhjen e grupit parlamentar për të përqafuar një qëndrim për këtë çështje.

“Na është thënë mos komentoni deri në mbledhjen e grupit,” tha deputeti Erjon Braçe, ndërsa shtoi: “po e presim këtë mbledhje për të diskutuar, pasi këtu duket se ka çeduar sistemi”.